Please enter at least 3 characters.

Ambasada e Serbisë në Lisbonë është përdorur për fshehjen e kokainës?

Portali malazez “Vijesti” raporton se Ambasada e Serbisë në Lisbonë dyshohet se ka shërbyer në vitin 2020 si vend për fshehjen e kokainës nga një grup kriminal, i drejtuar nga ish-deputeti i “Demokratski Front”, Milo Bozhoviq.

Këto pretendime bazohen në mesazhet e shkëmbyera përmes aplikacionit të koduar Sky mes tij dhe Ivan Mijatoviqit.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit kundër këtij grupi përmendet një dërgesë kokaine, por nuk specifikohet qartë se ambasada ka qenë vendi i fshehjes; thuhet vetëm se droga është dërguar në një “lokacion të sigurt”.

Sipas mesazheve të Sky, të cilat pretendohet se janë pjesë e provave, në Lisbonë janë fshehur mbi 100 kilogramë kokainë. Në disa prej komunikimeve përmendet edhe “ambasadori i Serbisë në Lisbonë”.

Njëri nga të përfshirët në biseda sugjeron se ambasada mund të përdoret si vend i sigurt për ruajtjen e drogës.

Në atë periudhë, ambasador i Serbisë në Portugali ishte Oliver Antiq, i cili humbi jetën në vitin 2022 pasi ra nga një shkëmb në qytetin e Cascais, pranë Lisbonës.

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë nuk kanë reaguar ndaj pyetjeve lidhur me këto pretendime. /Telegrafi/