Alonso tregon prapaskenat e afatit kalimtar: Rogers ishte prioriteti ynë
Në prag të përballjes së shumëpritur mes Chelseat dhe Arsenalit në “Emirates”, trajneri i “Bluve”, Xabi Alonso, ka zbuluar se Morgan Rogers ishte objektivi kryesor i klubit gjatë afatit kalimtar të verës.
Tekniku spanjoll e ka vlerësuar lart ndikimin e menjëhershëm të sulmuesit, duke theksuar se ai ishte një nga prioritetet absolute të klubit në planifikimin e skuadrës.
“Ai ishte objektivi ynë numër një. Kur flasim për planifikimin e skuadrës dhe marrjen e vendimeve të mëdha, Morgan ishte padyshim një prej tyre. Ne po merrnim një lojtar të një niveli të lartë, i cili është i rëndësishëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen”, u shpreh Alonso.
Rogers, i cili iu bashkua Chelseat për shumën prej 117 milionë paundësh, duket se e ka justifikuar menjëherë investimin e klubit. Alonso ka veçuar veçanërisht përshtatjen e tij me pjesën tjetër të skuadrës.
“Për momentin, ai ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm. Kimia e tij me të gjithë ekipin është shumë e mirë, ndërsa bashkëpunimi me partnerët e tij në sulm është fantastik”, shtoi trajneri i Chelseat.
Transferimi i Rogers pritet të jetë një nga lëvizjet më të rëndësishme të Chelseat në projektin e ri sportiv, me klubin londinez që shpreson se sulmuesi anglez do të luajë një rol kyç si në objektivat e sezonit aktual, ashtu edhe në të ardhmen. /Telegrafi/


