Alketa Çela themelon festival operistik!
Sopranoja e njohur nga Shqipëria, këtyre ditëve, së bashku me disa artistë të tjerë, ka themeluar Festivalin e parë të Operas, i cili ka për qëllim avancimin dhe afirmimin e këtij arti elitar, jo vetëm në Lyon, por në mbarë Francën.
Alketa është emëruar presidente e Festivalit dhe drejtoreshë artistike e tij. Qëllimi parësor i Festivalit është masovizimi i jetës artistike, sidomos asaj operistike.
Festivali do të jetë tradicional dhe do të çelet me Madam Baterfly, ku rolin e Madam e interpreton A. Çela, e cila, ndonëse krijon jashtë, asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me atdheun e lindjes.
Madje, ajo këtyre ditëve ndodhet në Tiranë, e ftuar nga Kryeministria, ku do të shqyrtoj mundësitë e hapjes së një master klase, në kuadër të Fakultetit të Arteve të Tiranës, me çka pretendon që të zbulojë dhe afirmojë talentë të rinj, që t'ua hapë rrugën për në tregun e madh artistik evropian dhe botëror.
Sopranoja Alketa Çela, ka njëzet vjet që jeton dhe vepron në Lyon të Francës, ku është mjaft aktive dhe e afirmuar. /Telegrafi/
Sh.F.


