Please enter at least 3 characters.

"Albanians For America" takuan kandidatin republikan për Kongres, Chris Gober: Mik i hershëm i komunitetit shqiptaro-amerikan

Delegacioni i organizatës Albanians For America, i përbërë nga: Doc Vranici, Adrian Doko, Nino Rata dhe Gino Mulliqi, zhvilluan dje një drekë pune me Chris Gober, kandidat republikan për Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara nga Distrikti i 10-të i Teksasit.

Gjatë takimit u diskutua për vizionin e Chris Gober për të ardhmen e Amerikës, me theks të veçantë në zhvillimin e ekosistemit teknologjik në rajonin e Austin-it dhe rëndësinë e ruajtjes së lidershipit amerikan në inteligjencën artificiale, robotikë, eksplorimin e hapësirës, prodhimin e avancuar dhe teknologjitë e reja.

Diskutimi u përqendrua gjithashtu në rëndësinë e inovacionit, konkurrueshmërisë ekonomike dhe sigurisë kombëtare.

Sipas përfaqësuesve të Albanians For America, lidershipi i Shteteve të Bashkuara në këto fusha është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për ruajtjen e avantazhit strategjik dhe sigurisë kombëtare.

Takime të tilla ndërmjet liderëve të komunitetit, politikëbërësve dhe inovatorëve ndihmojnë në ndërtimin e partneritetit të fortë dhe në përgatitjen për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes.

Raportet e Albanians For America me Chris Gober janë ndërtuar nga bashkëpunimi i hershëm që nga themelimi i AFA-s.

Si këshilltar ligjor i organizatës, përmes firmës së tij "Lex Politica", ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e themeleve, të cilat ia mundësuan AFA-s, të rritet dhe të shndërrohet në një nga organizatat më të fuqishme të avokimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.

Albanians For America pret me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit me Chris Gober, e falënderon për bashkëpunimin e deritashëm dhe i uron suksese në garën e tij për Kongresin e Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/