Please enter at least 3 characters.

Alarm në Prizren për guidat e palicencuara: “Po dëmtohet turizmi, po shtrembërohet historia”

Komuna e Prizrenit dhe Shoqata e Guidave Turistike të Kosovës (GUIDEKS) kanë reaguar kundër fenomenit të guidave ilegale, duke kërkuar respektim të ligjit dhe ndalim të udhërrëfyesve të palicencuar.

Në reagimin e Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik të Komunës së Prizrenit thuhet se Prizreni, si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore e historike në Kosovë, mirëpret çdo vit qindra mijëra vizitorë dhe se qyteti vazhdon të jetë “urë lidhëse mes kulturave, feve dhe traditave”.

Megjithatë, komuna thekson se vitet e fundit është vërejtur me shqetësim prania dhe operimi i guidave turistike ilegale nga shtete të ndryshme, të cilat ushtrojnë veprimtari pa certifikimet dhe autorizimet përkatëse.

Sipas komunës, përveç dëmtimit të konkurrencës së ndershme ndaj guidave lokale të certifikuara, në disa raste janë evidentuar edhe interpretime të pasakta dhe shtrembërime të fakteve historike, duke dëmtuar narrativën dhe prezantimin autentik të trashëgimisë kulturore.

Drejtoria sqaron se rregullimi i kësaj fushe mbetet kompetencë e nivelit qendror dhe se, ndonëse Ligji për Turizmin është në fuqi, ende mungon një rregullore e veçantë që do të mundësonte adresim dhe mbikëqyrje më efikase të veprimtarisë së guidave turistike, veçanërisht atyre të huaja.

Komuna e Prizrenit bën të ditur se pas takimeve me palë të ndryshme të interesit, përfshirë përfaqësuesit e GUIDEKS-it, do të vazhdojë angazhimin institucional për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete, me qëllim që Prizreni të prezantohet me dinjitet, profesionalizëm dhe autenticitet para çdo vizitori./Telegrafi/