Please enter at least 3 characters.

Aktorja e njohur Carla Gugino, thotë se shtëpia e saj në Los Angeles ishte me gjëra paranormale teksa rrëfen për përvojën e frikshme

Personazhi që Carla Gugino interpreton në filmin e ri horror Lockbox përballet me një sërë ngjarjesh të mbinatyrshme.

Aktorja thotë se mund ta kuptojë një përvojë të tillë, pasi edhe vetë ka përjetuar ngjarje të çuditshme dhe të pashpjegueshme në një shtëpi të vjetër në Los Angeles, ku kalonte shumë kohë me të dashurin e saj disa vite më parë.

Në një intervistë për revistën People, Gugino, 54 vjeçe – e cila luajti përkrah Naomi Watts në komedinë dramatike The Friend (2024) – tha se tashmë beson se ajo shtëpi ishte e pushtuar nga shpirti i gruas që kishte jetuar dikur aty.

"Nuk besoj domosdoshmërisht te fantazmat, por nëse do të më pyesnit nëse mendoj se ekzistojnë, do të përgjigjesha: absolutisht po," tha ajo.


"Ka shpirtra që nuk duan të largohen nga vendi ku ka qenë trupi i tyre. Trupi i tyre nuk është më aty, por ata janë sikur thonë: 'Nuk e di vërtet se ku duhet të shkoj.'"

Në filmin thriller me elemente mbinatyrore Lockbox, i cili nisi shfaqjen në kinema të premten, Gugino interpreton Ellen, një grua në zi që zhvendoset në një qytet të vogël rural për t'u rimëkëmbur pas vdekjes së nënës së saj.

Ellen merr në shtëpi kushëririn e saj, Winthrop (Lou Taylor Pucci), një veteran i ushtrisë që vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD). Së shpejti, jeta e tyre përmbyset nga një makth mbinatyror dhe Ellen duhet të rrezikojë gjithçka për ta shpëtuar atë nga një entitet demonik që e ndjek.

Megjithëse përvoja personale e Gugino-s me të mbinatyrshmen nuk ishte aq dramatike, ajo thotë se nuk e ka harruar kurrë.

"I dashuri im jetonte në një shtëpi me disa shokë dhome. Shpesh shikonim filma në katin përdhes – ishte një shtëpi e vjetër spanjolle në Los Angeles – dhe dëgjonim zhurma sikur dikush po lëvizte mobiliet në katin e sipërm," kujtoi ajo.

"Të gjithë i dëgjonim ato zhurma dhe thoshim: 'Ja ku është përsëri, po lëviz mobiliet!' Nuk e di pse mendonim se ishte një grua."

Ajo tregoi edhe një tjetër ngjarje të pazakontë.

"Në dhomën kryesore të gjumit, sa herë që drita ishte ndezur dhe dera ishte e mbyllur, shihnim diçka... ishte sikur një hije e vogël kalonte pranë."

Më pas shtoi:

"Një ditë, një nga shokët e dhomës së të dashurit tim po kalonte pranë shkallëve në mes të ditës. Ai pa një grua në shkallë dhe mendoi se ishte bashkëshortja e tij. I tha: 'Mendova se kishe shkuar tashmë në punë.' Kur ngriti sytë, nuk ishte askush."

Më vonë, ata mësuan nga ish-kujdestarja e shtëpisë se gruaja që kishte jetuar më parë aty kishte kryer vetëvrasje.

"Nuk mund ta tregoj këtë histori pa më ngritur qimet e krahëve", pranoi Gugino.