Please enter at least 3 characters.

AKK akuzon Ministrinë e Financave për mosfunksionimin e sistemit të tatimit në pronë: Komunat po humbin miliona, qytetarët po penalizohen

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj Ministrisë së Financave dhe Departamentit të Tatimit në Pronë, duke i akuzuar për neglizhencë lidhur me, siç thuhet, mosfunksionimin e plotë të sistemit të ri të tatimit në pronë, i cili është lansuar në gusht të vitit 2025.

Në reagimin e AKK-së thuhet se është e papranueshme që edhe pas nëntë muajsh komunat të vazhdojnë të përballen me një sistem jofunksional, pa afate konkrete dhe pa përgjegjësi institucionale nga niveli qendror.

“Është e papranueshme që edhe pas 9 muajsh, komunat vazhdojnë të përballen me një sistem jofunksional, pa afate konkrete dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale nga ana e nivelit qendror”, thuhet në reagim.

AKK thotë se pasojat e kësaj situate po reflektohen drejtpërdrejt si në buxhetet komunale ashtu edhe te qytetarët, duke përmendur humbje të të hyrave vetanake dhe penalizime përmes interesave dhe gjobave.

“Si pasojë direkte e kësaj neglizhence: komunat po humbin miliona euro të hyra vetanake; qytetarët po penalizohen padrejtësisht me interesa dhe gjoba; janë bllokuar procedurat e rillogaritjes dhe regjistrimit të pagesave; parapagimet nuk shfaqen saktë në sistem; është cenuar seriozisht besueshmëria institucionale ndaj komunave”, thuhet më tej.

Sipas AKK-së, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të komunave për sqarime dhe ndërhyrje urgjente, Ministria e Financave “ka zgjedhur heshtjen dhe neglizhencën”, duke i lënë komunat dhe qytetarët të përballen me pasojat.

AKK vlerëson se situata tashmë nuk është vetëm çështje teknike, por “dështim serioz institucional” që po dëmton financat komunale dhe funksionimin e administratës lokale.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës konsideron se kjo situatë nuk është më vetëm problem teknik, por dështim serioz institucional që po dëmton rëndë financat komunale dhe funksionimin normal të administratës lokale”, thuhet në reagim.

Në fund, AKK ka kërkuar urgjentisht funksionalizimin e plotë të sistemit, një raport transparent publik mbi problemet dhe përgjegjësit, eliminimin e penaliteteve të padrejta ndaj qytetarëve dhe kompensimin e dëmeve financiare që, sipas tyre, komunat po i pësojnë.

“Komunat nuk mund të mbajnë barrën e paaftësisë dhe mosveprimit të institucioneve qendrore”, përfundon reagimi. /Telegrafi/