Akil Gjakova arrin në çerekfinale të Kampionatit Evropian, Dardan Cena dhe Laura Fazliu eliminohen
Akil Gjakova ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku garojnë 400 xhudistë nga 46 vende të ndryshme, ndërsa më të pafat ishin Dardan Cena dhe Laura Fazliu, të cilët u eliminuan më herët.
Akil Gjakova i ka nisur për mrekulli garat në Kampionatin Evropian, duke marrë dy fitore dhe duke siguruar kalimin në çerekfinale.
Xhudisti pejan i nisi garat pa lojë në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti Samuel Gassner të Austrisë dhe pastaj në raundin pasues Benjamin Levy të Britanisë së Madhe.
Me këto dy fitore, Akili kalon në çerekfinale të kategorisë deri në 73 kilogramë, ku do të takohet me Lasha Shavdatuashvili nga Gjeorgjia.
Edhe Dardan Cena e ka nisur mirë duke fituar luftën e parë në Kampionatin Evropian të xhudos, pasi mposhti në xhiron e dytë të kategorisë deri 73 kilogramë bullgarin Victor Skerlev.
Megjithatë, Cena u ndalë në raundin tjetër, ku u mposht kësaj radhe nga xhudisti i Azerbajxhanit, Hidayat Heydarov.
Në anën tjetër, Laura Fazliu u eliminua në xhiron e dytë të kategorisë deri 63 kilogramë, ku u mposht nga xhudistja sllovene, Kaja Kajzer, duke humbur mundësinë për medalje.
Vlen të theksohet se gjatë ditës së djeshme (e enjte), Distria Krasniqi arriti ta fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë. /Telegrafi/


