AKB: Çdo goditje ndaj "Vita"-s është goditje ndaj prodhimit vendor, fermerëve dhe ekonomisë së Kosovës
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me zhvillimet e fundit që, sipas saj, kanë prekur qumështoren “Vita”, një nga kompanitë më të rëndësishme të industrisë së qumështit në Kosovë.
Në një konferencë për media, AKB vlerësoi se çdo vendim që ndikon në kufizimin e aktivitetit të industrisë vendore përbën, siç u tha, goditje ndaj ekonomisë kombëtare dhe prodhimit vendor.
“Mbyllja apo kufizimi i aktivitetit të një industrie të tillë nuk është vetëm një vendim teknik, është një goditje direkte ndaj prodhimit vendor dhe ekonomisë kombëtare”, u tha në konferencë.
Sipas AKB-së, dobësimi i sektorit të prodhimit vendor ndikon drejtpërdrejt në fermerët, punëtorët dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
“Një shtet që nuk mbron prodhimin e vet përfundon i varur nga importi”, u theksua nga AKB.
Aleanca shtoi se produktet vendore nuk mund të zëvendësohen pa pasoja ekonomike dhe sociale, duke përmendur edhe konkurrencën me produktet e importuara.
“Qumështi ‘Vita’ nuk mund të zëvendësohet me produkte të importuara si ‘Moja Kravica’ apo marka të tjera të huaja, sepse kjo nënkupton zhvendosje të vlerës ekonomike nga Kosova drejt tregjeve të jashtme”, u tha në deklaratë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se të gjitha bizneset duhet t’i nënshtrohen kontrollit institucional në përputhje me ligjet në fuqi, duke nënvizuar rëndësinë e inspektimeve për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Çdo biznes që operon në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet kontrollit dhe mbikëqyrjes nga institucionet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, u tha nga AKB.
Megjithatë, ai shtoi se kontrollet duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme dhe transparente, duke shmangur çdo perceptim të ndikimeve të jashtme.
“Nëse veprime të tilla janë rezultat i ndikimeve të mundshme të lobimeve tregtare apo interesave të importit, atëherë duhet të jemi të sinqertë me qytetarët: tregu nuk do të qëndrojë indiferent”, u tha më tej.
AKB paralajmëroi se çdo përpjekje për të zëvendësuar prodhimin vendor me import, sipas saj, do të hasë në reagim nga organizata dhe konsumatorët.
“Çdo përpjekje për të zëvendësuar prodhimin vendor me import të imponuar ekonomikisht do të përballet me reagimin e AKB-së dhe konsumatorëve kosovarë”, u theksua në konferencë.
Në fund, AKB bëri thirrje për rishqyrtim të vendimeve që prekin industrinë e qumështit, mbrojtje institucionale të prodhimit vendor, transparencë në vendimmarrje dhe trajtim të barabartë të prodhuesve vendorë dhe importeve.
“Pa prodhim vendor nuk ka ekonomi të qëndrueshme, ka vetëm varësi”, përfundoi AKB.


