Please enter at least 3 characters.

Aimona Vogli paralajmëron: AI dhe videot ‘deepfake’ po e bëjnë dezinformimin më të rrezikshëm

Zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe përhapja e videove ‘deepfake’ po e çojnë dezinformimin në një nivel të ri rreziku, veçanërisht në periudha të ndjeshme si fushatat zgjedhore.

Kështu tha mes tjerash Aimona Vogli në “Përballje Podcast”.

Sipas saj, inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për të krijuar përmbajtje të manipuluara, përfshirë video dhe imazhe që duken autentike, por që në realitet janë të rreme.


"Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes së vërtetës dhe manipulimit, si për publikun ashtu edhe për mediat".

Vogli theksoi se, ndonëse AI po shfrytëzohet edhe për zhvillimin e mjeteve të verifikimit, pala që synon të dezinformojë shpesh ecën më shpejt dhe përfiton nga algoritmet e rrjeteve sociale, të cilat favorizojnë përmbajtjet sensacionale dhe emocionale.

“Teknologjia nuk e ka mendimin kritik”, nënvizoi ajo, duke shtuar se ky mbetet avantazhi kryesor i gazetarëve profesionistë dhe i një publiku të edukuar medialisht.

“Pa verifikim dhe pa përgjegjësi editoriale, videot deepfake dhe përmbajtjet e gjeneruara nga AI rrezikojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të dëmtojnë besimin në media”, ka deklaruar ajo shkruan Telegrafi.

Voglo apeloi që mediat dhe institucionet të investojnë më shumë në edukimin medial dhe në zhvillimin e mekanizmave për identifikimin e përmbajtjeve të rreme, për të shmangur përhapjen e dezinformimit në epokën e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/