Please enter at least 3 characters.

“Ai duhet të ndalojë” — Steven Gerrard i dërgon paralajmërim Arne Slotit

Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard ka vlerësuar trajnerin aktual të klubit, Arne Slot, për paraqitjen bindëse ndaj Marseille, por njëkohësisht e ka paralajmëruar trajnerin holandez se duhet të ndalojë së foluri vazhdimisht për vështirësitë kundër skuadrave që mbrohen thellë.

Skuadra e Slot përfitoi maksimalisht nga loja e hapur dhe stili progresiv i Marseille, duke regjistruar një fitore të qetë 3–0 në Ligën e Kampionëve, në një sezon që përndryshe ka qenë problematik për Liverpoolin.

Vetëm fundjavën e kaluar, Burnley arriti të nxirrte një barazim 1–1 në “Anfield”, një rezultat që u shoqërua me fishkëllima nga tifozët vendas, por që, sipas Slot, ishte një ndeshje pozitive për skuadrën e tij.

“E di pse nuk jemi konstantë dhe kjo lidhet kryesisht me faktin se një ndeshje e hapur është krejtësisht ndryshe nga përballja me një bllok të ulët”.

“Nuk mund ta krahasosh këtë ndeshje me atë të sonte, kur të dyja skuadrat duan të presojnë dhe të ndërtojnë lojën nga prapavija. Nëse jemi jokonsistentë, kjo ndodh sepse hasim vështirësi kundër blloqeve të ulëta”.

Megjithatë, Gerrard mendon se Slot duhet ta mbyllë këtë diskutim.

“Ai duhet të ndalojë së përmenduri blloqet e ulëta. Këto blloqe kanë ekzistuar kundër Liverpoolit që kur luaja unë. Kjo është thjesht mënyra se si skuadrat përballen me Liverpoolin”.

Pavarësisht kritikës, ish-kapiteni i Liverpoolit pati edhe fjalë pozitive për trajnerin aktual.

“Jam vërtet i lumtur për të. Nuk është aspak e lehtë të punosh nën atë presion. Taktikat e tij ishin perfekte sonte. Ai meriton shumë lavdërime dhe respekt”./Telegrafi