AGK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Laurent Krasniqit: Jemi thellësisht të tronditur
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me një telegram ngushëllimi për vdekjen e parakohshme të Laurent Krasniqit, i cili për vite me radhë ka punuar në media të ndryshme.
Përmes një postimi në Facebook, AGK u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë kolegëve të të ndjerit, me të cilët ai kishte punuar ndër vite.
Bashkëngjitur telegramit të ngushëllimit, AGK ka theksuar se Krasniqi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në skenën mediale përmes punës së tij profesionale.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i tronditur me rastin e vdekjes tragjike të Laurent Krasniqit”, ka shkruar AGK.
“Për disa vjet, Laurenti ka punuar si kameraman në disa media, duke përfshirë T7, TV Dukagjini, Tëvë1 dhe të tjera. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në skenën mediale me punën e tij profesionale, dhe do të kujtohet për kolegialitetin e pashoq tek i gjithë komunitetit medial në vend”.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllime të sinqerta, familjes, miqve dhe të gjithë kolegëve që kanë punuar bashkë me të”, përfunduan ata në postimin e tyre.


