Agjenti i Lukakut: Real Madridi pati një mundësi për ta nënshkruar, por ishin të përqendruar te Mbappe
Federico Pastorello, agjenti i sulmuesit të Napolit, Romelu Lukaku, ka ndarë mendime mbi vendimet e klientit të tij në karrierë, duke përfshirë një transferim të mundshëm te Real Madridi që nuk u realizua kurrë, si dhe lidhjen e tij të fortë me trajnerin Antonio Conte.
Për Real Madridin dhe ndikimin e Kylian Mbappes në një transferim të mundshëm, Pastorello zbuloi githë situatën.
"Mendoj se Real Madridi është klubi më i mirë në botë për shumë arsye. Duhet të jem i sinqertë dhe të them se pati një mundësi, në një kohë kur nuk ishte e qartë se ku po shkonte Romelu, me Ancelottin si trajner”, ka thënë fillimisht Pastorello.
“Ata po mendonin të forconin sulmin, por ishin tashmë të përqendruar në nënshkrimin e madh të Mbappe për vitin pasardhës dhe nuk donin të shpenzonin për një huazim. Pra, le të themi se pati një mundësi sepse Ancelotti do ta kishte dashur atë, ai gjithmonë e vlerësonte shumë Lukakun, por për fat të keq nuk ndodhi”.
Tutje, Pastorello diskutoi lidhjen e Lukakut me Antonio Conten te Napoli.
“Lukaku u përshtat mirë në Itali, flet gjashtë ose shtatë gjuhë dhe ndihet më afër kulturës atje. Kudo që shkoi, ai gjithmonë ndihej rehat, por Italia është vendi ku ndihet më mirë. Ai u zhgënjye nga përvojat e tjera profesionale me të cilat nuk isha i përfshirë në atë kohë dhe kishte nevojë për siguri. Dhe gjëja më e rëndësishme për një lojtar është trajneri”.
“Antonio e telefonoi dhe i kërkoi të bashkohej, dhe ai tha po menjëherë. As nuk u diskutua. Ishte momenti më i mirë për të punuar përsëri së bashku, dhe rezultatet e kanë vërtetuar të drejtën. Romelu ka fituar Scudetton e tij të dytë, gjë që ka qenë shumë e kënaqshme sepse luajti një rol kryesor”, përfundoi agjenti i njohur. /Telegrafi/


