Agjentët e yllit të Barcelonës po vlerësojnë opsionet për t’u larguar në janar
Portieri i Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen, është rikthyer në stërvitje pas operacionit në shpinë këtë verë.
Së shpejti, portieri gjerman do të mund të konkurrojë me Joan Garcia për vendin e parë në portë, pas qëndrimit jashtë fushës gjatë sezonit përgatitor.
33-vjeçari ka qenë i qartë se qëllimi i tij është të qëndrojë te Barcelona, edhe pse konsensusi i përgjithshëm është se Garcia do të mbetet portieri i parë edhe pasi Ter Stegen të rikuperojë plotësisht.
Meqenëse trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka deklaruar publikisht se Ter Stegen ka nevojë për minuta loje për Kupën e Botës, kjo e lë veteranin në një situatë të vështirë.
Nëse vërtet Garcia mbetet zgjedhja e parë për Hansi Flick, atëherë Ter Stegen mund të ketë nevojë të largohet për të siguruar minuta loje, duke përfshirë edhe mundësinë e një huazimi.
RadioMarca ka raportuar se stafi i ter Stegen po shqyrton opsione të mundshme largimi për janar.
Edhe pse portieri nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar, informacionet tregojnë se nëse ai vendos ta bëjë këtë, do të ketë mundësi.
Megjithatë, të enjten, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka mohuar çdo lëvizje të mundshme, duke deklaruar se nuk do të ketë dalje nga klubi gjatë afatit dimëror./Telegrafi/


