Aeroplani luftarak F-4 Phantom rrëzohet para qindra spektatorëve në Greqi
Një avion ushtarak F-4 Phantom II me dy vende është rrëzuar gjatë shfaqjes ajrore “Athens Flying Week” në Tanagra të Greqisë.
Fati i dy pilotëve, një kapiteni dhe një togeri, mbetet ende i paqartë. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë operacionet, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse është aktivizuar sistemi i katapultimit.
Avioni u rrëzua pak pas nisjes së programit të fluturimeve, para qindra spektatorëve. Dëshmitarët raportuan se kishin parë tym që dilte nga avioni pak çaste para aksidentit. Më pas, ai humbi papritur lartësinë dhe u përplas me tokën.
Sipas informacioneve paraprake, avioni u nda në dy pjesë pas përplasjes dhe zjarri shpërtheu në dy zona.
F-4 Phantom II është një nga avionët luftarakë më të njohur në histori. Avioni amerikan me dy motorë është përdorur për epërsi ajrore, përgjim, bombardim dhe misione zbulimi.
Modelet e para të F-4 u prodhuan në fillim të viteve 1960, ndërsa Greqia e futi avionin në shërbim në vitin 1974, në kuadër të programit “Peace Icarus”. Pavarësisht moshës, modernizimet e shumta i kanë mundësuar F-4 të qëndrojë në përdorim operacional për dekada.


