AEROFEST 2026 solli spektakël ajror në Shtime, mijëra vizitorë ndoqën fluturimet mbi Vojnoc
Me fluturime spektakolare, adrenalinë dhe një atmosferë festive, është përmbyllur me sukses AEROFEST 2026, i cili u mbajt nga 24 deri më 26 korrik në fshatin Vojnoc të Shtimes.
Festivali, i organizuar nga Aerofest Kosova, mblodhi pilotë dhe entuziastë të sporteve ajrore nga Kosova, Ballkani dhe vende të ndryshme të Evropës. Gjatë tri ditëve, vizitorët patën mundësinë të ndjekin demonstrime me paramotorë, aeroplanë të vegjël, deltaplanë, motomeeting, kamping dhe aktivitete të tjera rekreative, të cilat tërhoqën interesimin e mijëra qytetarëve.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili përjetoi nga afër emocionet e festivalit, duke realizuar edhe një fluturim.
Sipas njoftimit të Komunës së Shtimes, Aliu vlerësoi organizimin e festivalit dhe theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e sportit, turizmit dhe potencialeve që ofron komuna.
"Mbështetja për aktivitete të tilla që promovojnë sportin, natyrën dhe kampingun është gjithmonë prioriteti ynë. Përgëzime të përzemërta Aerofest Kosova për punën e shkëlqyer në organizimin e demonstrimeve ajrore dhe motomeeting-ut. Faleminderit të gjithëve që e kthyen vëmendjen nga Shtimja gjatë këtyre tri ditëve. Shihemi në edicionet e radhës", ka deklaruar Aliu.
Gjatë festivalit, demonstrimet ajrore u shndërruan në atraksionin kryesor, ndërsa pjesëmarrësit dhe vizitorët patën mundësinë të përjetojnë nga afër emocionet që ofrojnë sportet ajrore.
Sipas Komunës së Shtimes, organizimi i AEROFEST 2026 kontribuoi në promovimin e fshatit Vojnoc si një destinacion të përshtatshëm për aktivitete ajrore dhe rekreative, duke e vendosur Shtimen në qendër të vëmendjes për tri ditë me radhë. /Telegrafi/


