Adele dhe Foo Fighters, fituesit e Grammyt
Këngëtarja britanike Adele bëri një rikthim triumfues “live” në publik pas operacionit në fyt dhe morri gjashtë shpërblime në ceremoni, përfshirë Këngën, Incizimin dhe Albumin më të mirë të Vitit.
Kolegët po ashtu i dhanë asaj një brohoritje të gjatë mirëseardhje pasi ajo sërish kapi notat e larta përmes hitit të vitit 2011, “Rolling in the Deep”. Brohoritjet u treguan të tepërta kur këngëtarja u ngjit në skenë duke dënesur për të marrë trofeun e gjashtë të mbrëmjes, atë për Albumin e Vitit.
Adele flet në skenë pasi pranon njërin nga shumë shpërblimet e mbrëmjes (Foto: Reuters)
Rokerët Foo Fighters ishin fituesit tjerë duke mbledhur shpërblimet “rok” të mbrëmjes dhe bënë dy paraqitje për publikun jashtë sallës ku u ndanë shpërblimet, Staples Center, njëra prej të cilave ishte një performancë me yllin e muzikës elektronike DeadMau5.
Foo Fighters duke marrë shpërblimin për performancën më të mirë rok (Foto: Reuters)
Edhe pse mungoi në mbrëmje, Kanye West ishte një fitues tjetër i mbrëmjes, duke mbledhë katër trofe për këngën e tij “All of the Lights”, albumin “My Beautiful Dark Twisted Fantasy” dhe bashkëpunimin e tij me Jazy Z me titull “Otis”.
Fitues i trefishtë ishte Skrillex, derisa nga dy shpërblime morën Cee Lo Green, Kirk Franklin, Alison Krauss & Union Station, Taylor Swift dhe Tony Bennett.
Coldplay gjatë performancës së tyre (Foto: Reuters)
Mbrëmja u karakterizua edhe me performanca të bukura dhe të dështuara: Rihanna performoi këngën “We Found Love” derisa Coldplay mezi i dha fund këngës “Paradise”, për shkak të zërit të Chris Martin të dëmtuar nga ftohja. Në skenë u ngjitën edhe Bruce Springsteen, Katy Perry, Chris Brown, Bruno Mars, Taylor Swift dhe Sir Paul MCCartney, pa harruar edhe performancën e veçantë të Nicki Minaj.
Katy Perry bëri paraqitjen e parë televizive që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur u nda me Russell Brand (Foto: Reuters)
Por Grammy për vitin 2012 po ashtu do të mbahet mend për nderimet që iu bënë yjeve si Etta James, pastaj Glen Campbell, The Beach Boys, dhe Whitney Houston, e cila ndërroi jetë një natë më parë në një hotel në Los Angeles. /Telegrafi/


