Please enter at least 3 characters.

Lumir Abdixhiku kërkon t'i nënshtrohet votëbesimit të Kuvendit të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim gjatë Kuvendit të punës së partisë, duke iu drejtuar delegatëve dhe duke folur për përgjegjësinë, sfidat dhe rolin e LDK-së në politikën e Kosovës.

Abdixhiku tha se partia ka përgjegjësi historike dhe se është koha që të japë përgjigje edhe për vetveten.

“Heshtja në jetën politike është një barrë e rëndë. Njeriu e kupton që ka momente që duhet të ndalet, jo pse është i dobët, por sepse ka përgjigje për të dhënë nga ata që e besuan. Nata e zgjedhjeve ishte një prej atyre momenteve që nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përgjegjësisë”, tha ai.



Kryetari i LDK-së theksoi se përgjegjësia merret vetëm brenda Kuvendit të partisë dhe vendimmarrja i takon delegatëve.

“Kam zgjedhur të dal para jush jo sepse është e lehtë, por sepse është e domosdoshme. Njeriu nuk matet vetëm kur gjithçka shkon mirë, por edhe kur gjuha i dridhet pak”, shtoi ai.

Abdixhiku vuri në dukje se rezultatet e fundit nuk erdhën nga një gabim i vetëm, por si pasojë e një grumbullimi të sfidave gjatë kohës, duke theksuar nevojën për të reflektuar dhe për t’u përballur me realitetin.

“Sot jemi këtu për t’i thënë gjërat në sy”, tha ai.

Ai theksoi pozicionin unik të LDK-së në Kosovë: “LDK mbetet e vetmja parti politike në vend, themeluesi i së cilës nuk jeton. Në këtë rrugëtim jemi ndryshe nga çdo parti tjetër në Kosovë. LDK ka provuar dhe krijuar lidership demokratik. Në demokraci, lidershipi nuk është dhuratë, por provë dhe barrë e madhe, mbi të gjitha garë mes të njëjtëve”.

Abdixhiku nënvizoi gjithashtu transparencën dhe përkushtimin e partisë: “Në cilën parti tjetër mbledhja konsultative transmetohet drejtpërdrejt në 32 kanale? LDK është parti e popullit, në lindje, në konstrukt dhe në të ardhme. Prijësi i LDK-së është i ndryshueshëm, por principi mbetet i njëjtë. Problemi nuk ka qenë njeriu, por roli i kryetarit dhe përgjegjësitë që ky detyrë mbart”.

Ai shtoi se partia duhet të funksionojë çdo ditë dhe jo vetëm gjatë zgjedhjeve: “Rregullimi i brendshëm i partisë ka nevojë për një organizatë që funksionon çdo ditë. Po aq e rëndësishme është disiplina politike. Kritikët që e shndërrojnë helmin e vazhdueshëm në shkatërrim nuk kanë vend këtu. Kush nuk respekton shumicën e kësaj partie nuk është i mirëpritur”.

Abdixhiku foli edhe për sfidat zgjedhore të fundit: “vitin 2025, partia fitoi sërish 7 komuna, përfshirë kryeqytetin, një arritje me peshë simbolike. Humbja e një komune të vogël u ndje shumë. Nëse nuk dimë ta kthejmë suksesin në moral, nuk mund të arrijmë shumicën. Nevojiten ndryshim dhe rezistencë për ta arritur atë”.

Ai po ashtu tha se LDK nuk është themeluar si shoqëri aksionare dhe nuk është pronë e askujt.

Abdixhiku, ka kërkuar nga delegatët e Kuvendit të Punës së LDK-së, votëbesimin e tyre për të parin e partisë.

“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit”, tha ai.

Ai shprehu gatishmërinë për t’u nënshtruar vendimeve të Kuvendit dhe duke reflektuar mbi përgjegjësinë e tij ndaj partisë dhe qytetarëve.

“Çfarëdo vendimi që do të merrni, do ta respektoj me qetësi, dinjitet dhe besim. Besoj te vendimi dhe pjekuria politike e LDK-së”, tha Abdixhiku.

Ai rikujtoi natën e zgjedhjeve dhe debatet brenda partisë: “Në natën e zgjedhjeve, kur paralajmërova Kuvendin e partisë, pati zëra brenda LDK-së që kërkuan dorëheqjen time. ‘Lëshoj vendin tim’, më thanë, dhe më pas u kthye në ultimatum. Në fund, pas këtij ultimati, u shpall ideja se akti i dorëheqjes ishte i kryer dhe Kuvendi nuk do të vendoste më për ne”.

Duke ndier peshën e madhe të përgjegjësisë, Abdixhiku shtoi: “Jo në pak raste e kam ndjerë të parevokueshme. Me 42 vite që kam, kam një jetë përpara për të nisur me familjen time dhe me ju. Kam dëgjuar zëra që kërkonin përballje përmes debatit të hapur. Këtë çështje nuk e kam mbajtur për vete, por ia kam kthyer Kuvendit. Kuvendi ka legjitimitetin për të vendosur – dhe për mua. I nënshtrohem vullnetit të përgjithshëm të Kuvendit. Le të flas Kuvendi, jo si akt formal, por si akt përgjegjësie”.

Abdixhiku gjithashtu theksoi se ka momente kur në jetën e një partie fjala duhet të jetë më e matur se emocionet.

“Më lejoni të flas jo për atë që kam qenë, por për mënyrën se si kam shërbyer në këtë detyrë. Ndihem keq që nuk kam arritur ta çoj partinë në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha ai.

Në fund tha se me vullnetin e këtij Kuvendi do të përcaktohet përcaktohet fati i secilit prej tyre.

“Shumë sy kanë qenë të kthyer nga kjo karrige këtu. Me vullnetin tuaj këtu përcaktohet fati i secilit prej nesh. Nga ky moment i kaloj punimet te Kuvendi... do të ulem sërish si një nga 355 delegatët e këtij kuvendi”. /Telegrafi/