Please enter at least 3 characters.

A mund të na ndihmojë termi “fashizëm në re” të kuptojmë - dhe të kundërshtojmë - të djathtën ekstreme?

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Muajin e kaluar, disa javë pasi kishin filluar ndalimet arbitrare dhe ndalimet e hyrjes në kufirin amerikan, mendoja të shkoja në Universitetin e Prinstonit si ligjëruese e ftuar për të diskutuar fashizmin global. I pyeta profesorët, të cilët më kishin ftuar, nëse mendonin se ishte e sigurt të vija. Kur isha në Turqi, miqtë e mi gazetarë evropianë më kishin bërë një pyetje të ngjashme - nëse ata do të ndaloheshin. Dhe, ashtu si atëherë, edhe profesorët amerikanë hezituan me gjysmë fjale: “Po, e di ti ...”! U vendos që të përfshihej një firmë ligjore. Pas disa diskutimeve, vlerësimi përfundimtar mbeti goxha i paqartë: “Një ndalim është i pamundur, por nuk mund të jemi të sigurt”. Përfundimisht, për të qenë të sigurt, zgjodhëm opsionin e internetit.

Në fund gjithçka shkoi mirë në sipërfaqe, por unë e di - ngaqë kam qenë në anën tjetër të kësaj historie - se ishte këputur ajo lidhja e hollë, si fije mëndafshi, mes njerëzve. Ata e ndjenë vendin e tyre paksa më të errët, ndërsa unë ndjeva një dorëzim të heshtur ndaj fatit të keq të kohëve të vështira. Në fund të fundit, duhet ta di: një vend nuk zhytet në errësirë me urdhër të një diktatori, por nga bota e jashtme që braktis popullin, duke këputur miliona fije që na lidhin si njerëzim.

Ndërkohë, ajo që fillimisht dukej absurde - studiues, intelektualë dhe njerëz të zakonshëm me ide që ndalohen që në hyrje apo dërgohen në burg për javë të tëra për shkak të një kontrolli të telefonit - u bë shpejt një gjë normale. E papranueshmja u normalizua me një shpejtësi të tillë, saqë vetëm disa javë pas fillimit të krizës kufitare, BE-ja nisi të shpërndante telefona të përkohshëm [burner phone] për stafin që udhëtonte drejt ShBA-së. Disa vende evropiane paralajmëruan qytetarët e tyre LGBTQ+ që të jenë të kujdesshëm kur vizitojnë ShBA-në, me një ton të ngjashëm me këshillat e Tripadvisor-it për udhëtim. Sharada filloi pa paralajmërim dhe vazhdon me një rastësi të plotë. Problemet i gjejnë njerëzit, siç u përshkrua edhe në vlerësimin për rrezikun tim: “E pamundur, por jo me siguri”. Dhe, në atë paqartësi shqetësuese qëndron veçoria unike e fashizmit të sotëm.

Shumë prej nesh - autorë, mendimtarë dhe politikanë - përpiqemi të gjejmë një term të duhur për fashizmin e sotëm. Në thelb, kam filluar të besoj se nuk është vetëm dëshira për të analizuar, por edhe nevoja për të tërhequr vëmendjen e njerëzve që të alarmohen siç duhet. Është një dëshirë thellësisht njerëzore të mendosh: “Sikur të gjenim fjalën e duhur, njerëzit do të ndaleshin e do të dëgjonin. Ndoshta atëherë do të vepronin”. Në të vërtetë, është fashizëm i vjetër, vetëm me shumë spektakle të reja dhe pajisje magjepsëse, si një aplikacion i përditësuar me veçori të reja. Një nga këto veçori të fashizmit të shekullit XXI është fakti se është si “reja” [cloud]. Në fund të fundit, është fëmija politik i kapitalizmit në re.

Termi u krijua nga ekonomisti dhe politikani grek, Yanis Varoufakis. Ai thotë se ekziston një sistem i ri ekonomik ku kompanitë e mëdha të teknologjisë, veçanërisht ato që operojnë në re [cloud], kanë zëvendësuar shtyllat tradicionale të kapitalizmit, si tregjet dhe fitimi, me platforma dhe qira. Ky sistem karakterizohet nga krijimi i “feudeve dixhitale” në të cilat individët - ose “vasalët” - punojnë për këto platforma. Është si në kohët mesjetare, por në një version teknologjik. Askush, natyrisht, nuk e hedh veten me dëshirë në këtë formë të re skllavërie, megjithatë gjërat ndodhin sikur të ishin të caktuara nga një rend natyror.

Termi “re” [cloud] flet shumë për realitetin aktual të botës. Paqartësia, lëvizshmëria dhe rrëshqitja që karakterizojnë këtë sistem - prania e tij kudo dhe njëkohësisht askund - janë si re të lëvizshme stuhie. Tani është në Turqi, duke vepruar përmes burgosjes së rivalëve politikë të Recep Tayyip Erdoğanit; tani është në Izrael, duke lënë fëmijët palestinezë të uritur. Pasi u shfaq në brigjet italiane për të kthyer refugjatët pas në det, papritmas u shfaq në ShBA, duke zbarkuar në një tokë të re përmes policisë kufitare. Fashizmi në re [cloud fascism] ka duar të pafundme që kryejnë krime të paparashikueshme rastësore që ne përpiqemi ta kuptojmë e t’i përshtatemi. Ashtu si vasalët e resë, edhe ne vazhdojmë jetën. Dhe, pas pak kohe humbasim aftësinë për t’u tronditur, duke e normalizuar pa dashje këtë re, sikur tashmë të jetë një dukuri natyrore me të cilën duhet të jetojmë. Sikur reja thjesht ekziston. Thjesht, mos e merr telefonin tënd me vete në ShBA. Bli një telefon të përkohshëm. Punë e madhe. Nëse ka re, merr çadrën dhe ec më shpejt, duke kaluar pranë atyre që nuk kanë një të tillë.

Papa i ndjerë Françesku e quajti këtë qëndrim me çadër si “indiferencë globale”. Ai shpesh i referohej dinjitetit njerëzor si vija e fundit mbrojtëse e moralit përballë poshtërimeve të realitetit tonë politik dhe ekonomik. Sipas mënyrës si e kuptoj unë, ai nuk i referohej vetëm dinjitetit të të varfërve që thyhen nga pabarazia. Dinjiteti, si vlerë qendrore njerëzore që na bashkon të gjithëve, mund të cenohet në shumë mënyra të tjera. Ata që kanë mundësi të blejnë çadrat për të mbrojtur veten nga fashizmi në re, ata që pa asnjë protestë blejnë një telefon të përkohshëm, e pësojnë gjithashtu një thyerje të dinjitetit - edhe nëse e ndalin zemrën për të mos e ndier. Papa i ndjerë nuk ndaloi vetëm te tregimi i dinjitetit të plagosur të njerëzimit; ai aludoi për rezistencë civile kur tha se kur ligjet nuk janë të mjaftueshme, njeriu mund të veprojë kundër tyre për të qenë në anën e së mirës më të madhe.

Së fundmi, në dokumentarin e Wim Wendersit për të, ai tha: “Revolucion. Mos kini frikë nga kjo fjalë”. Një fjalë që prej kohësh është shoqëruar me përqeshje apo gjeste ironike - edhe në qarqet intelektuale progresiste. Ajo përqeshje është shenjë e humbjes së besimit tonë te njerëzimi dhe fillimi i nënshtrimit tonë ndaj resë më të errët. Ndërkaq, Papa buzëqeshi kur e shqiptoi këtë fjalë - një ndryshim ky i madh.

Kjo reja jonë, ky fashizëm në re, po udhëton nëpër planet duke na lagur me shi acidi. Megjithatë, sa herë që shfaqet në një vend, qytetarët sillen sikur është hera e parë dhe sikur po ndodh vetëm aty. Habia që përsëritet shënon fillimin e tërheqjes sonë - dhe është agimi i disfatës sonë besimi se një çadër mjaftueshëm e madhe, e bërë vetëm për kombin tonë, mund të na shpëtojë. Pyetja është nëse do ta shpërndajmë këtë re përpara se të dorëzohemi përfundimisht. Ajo që qëndron mes nesh, njerëzimit, dhe resë së errët është pyetja e besimit. Jo domosdo në Zot, ndoshta, por në entitetin e hyjnor që merr formë kur njerëzit bashkohen për të mbrojtur dinjitetin e vet. Një re rezistence, po aq e rastësishme, e rrjedhshme dhe e paparashikueshme sa edhe fashizmi në re. Ajo që mund të ndalojë këtë shi acidi është prania, kudo, e rezistencës në re e dinjitetit njerëzor. Nuk po them revolucion - e megjithatë, unë nuk jam Papa. Zoti e bekoftë dinjitetin. /Telegrafi/