3x3 Prishtina lanson linjën e fanellave të personalizuara
3x3 Prishtina është ngjarje e cila mbahet për të tretën herë me radhë në qytetin e Prishtinës, ngjarje kjo e cila bashkon Streetball-in me Hip-Hop, ku sportistë dhe adhurues të sportit të basketbollit mblidhen për këtë turnir ikonë. '3x3 Prishtina International Satellite Tournament', e licensuar nga Fiba 3x3, do të mbledhë ekipe profesionale nga vendi si dhe nga e gjithë bota në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ me datë 29 dhe 30 gusht.
Këtë sezon, 3x3 Prishtina prezanton linjën e fanellave (dresave sportive) të dizajnuara dhe të personalizuara, kështu duke krijuar një trend të parealizuar më parë në Kosovë për adhuruesit e këtij sporti por edhe më gjerë.
Fanellat e dizajnuara në frymën sportive dhe urbane përfaqësojnë qytetin e Prishtinës dhe kulturën e saj duke ofruar një laramani të ngjyrave dhe numrave të ndryshëm për të gjithë, me porosi. Çmimi i fanellave është 20 euro, kështu duke e mbështetur organizatën në përpjekjet për të sjellë një turnir të kalibrit botëror për qytetarët e vendit.
3x3 Prishtina ka mbledhë një numër të madh të mbështetësve deri tani, ku fanella tashmë po shihet tek miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të 3x3 Prishtina dhe më gjerë.
Personalitete të njohura po përqafojnë trendin dhe kulturën urbane duke i veshur fanellat në fjalë. Vetëm javën e kaluar, Capital T u pa në koncertin e tij me fanellën e personalizuar 3x3. Edhe modelja shqiptare Tula Abedini u pa duke realizuar një foto sesion me fanellën e personalizuar 3x3 nga fotografi i njohur Meddy Huduti.


