1,812 gjoba dhe 52 aksidente gjatë një jave në rajonin e Ferizajt
Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1,812 gjoba kundërvajtëse dhe ka pezulluar 10 patenta shoferësh gjatë javës së kaluar, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas njoftimit të Policisë, masat janë ndërmarrë gjatë periudhës 27 korrik deri më 2 gusht 2026, ndërsa në të njëjtën periudhë janë regjistruar gjithsej 52 aksidente trafiku.
Nga këto aksidente, 18 kanë qenë me persona të lënduar, ku janë lënduar gjithsej 26 persona, ndërsa 34 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.
Policia ka bërë të ditur se 10 patentë shoferë janë pezulluar për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut”, thuhet në njoftim.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose numrit kujdestar 192. /Telegrafi/


