Një milion franga në vit - rrogat e larta të shefave të sigurimeve shëndetësore ngjallin debat në Zvicër
Ndërkohë që rritja e kontributeve për sigurimin shëndetësor mbetet një nga shqetësimet kryesore të popullsisë në Zvicër, raportet e fundit vjetore të biznesit dëshmojnë për një rritje të ndjeshme të pagave të menaxherëve të lartë të këtij sektori.
Brenda tre viteve të fundit, kontributet që duhet paguar për sigurime janë shtrenjtuar me rreth 20 për qind, duke tejkaluar dukshëm rritjen e pagave të popullsisë së gjerë.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit e kompanive kryesore të sigurimeve kanë shënuar rritje të ardhurash deri në 25 për qind, shkruan Tages Anzeiger.
Sipas të dhënave të publikuara, shefja e kompanisë së sigurimeve CSS, u rendit si më e paguara në sektor për vitin 2025 - vit ky që shënoi edhe dorëheqjen e saj. Paga e saj u rrit me 17 për qind, duke arritur në 998’611 franga. Përfaqësuesit e CSS e arsyetuan këtë rritje me rezultatin e shkëlqyer financiar të kompanisë dhe rritjen e numrit të klientëve të rinj.
Një ngritje edhe më e lartë u regjistrua në pagën e shefit të kompanisë së sigurimeve Helsana, i cili shënoi një rritje prej 25 për qind dhe arriti në 996’029 franga. Ndërkaq, shefi i Sanitas, i cili kryesonte listën në vitet e kaluara, u rendit i treti me një total prej 982’506 franga. Drejtuesit e kompanive të tjera si Groupe Mutuel, Swica dhe Visana sigurojnë të ardhura që kalojnë vlerën prej 700’000 frangave në vit.
Në aspektin krahasues, këto të ardhura janë pothuajse të barabarta me ato të drejtorëve të Postës Zvicerane ose Hekurudhave Federale (SBB), pavarësisht se këto të fundit menaxhojnë një numër shumë herë më të madh punonjësish.
Po ashtu, pagat e shefave të sigurimeve janë më shumë se dyfishi i pagës së ministri të qeverisë së Zvicrës. Në shumat e mësipërme përfshihen edhe kontributet mjaft bujare që kompanitë paguajnë për arkat pensionale të këtyre menaxherëve, të cilat në disa raste tejkaluan vlerën prej 178 mijë frangave në vit.
Këto nivele të larta kompensimi kanë nxitur reagime të forta në Parlamentin e Zvicrës. Komisionet e Shëndetësisë në të dyja dhomat kanë miratuar një projektligj që synon të parandalojë “shpërblimet e tepruara”, duke vendosur një tavan maksimal prej rreth 405 mijë frangave në vit, e barasvlershme me pagën maksimale të sekretareve të shtetit apo shefit të ushtrisë. /Telegrafi/


