LAJMI I FUNDIT:

Amnesty International akuzon Rusinë për krime lufte në Kharkiv

Amnesty International akuzon Rusinë për krime lufte në Kharkiv

Amnesty International ka akuzuar Rusinë për krime lufte gjatë përpjekjeve të saj për të pushtuar qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv.

Në një raport të ri prej 40 faqesh, Amnesty ka dokumentuar përdorimin e pretenduar të “municioneve thërrmuese” dhe mjeteve të tjera pa dallim, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

“Bombardimet e përsëritura të lagjeve të banuara në Kharkiv janë sulme pa dallim që vranë dhe plagosën qindra civilë dhe si të tilla përbëjnë krime lufte”, thuhet në raport.


Studiuesit e Amnesty thonë se ata “dokumentuan shtatë sulme në zona të ndryshme të Kharkiv, ku gjetën pjesë dhe fishekë të municioneve thërrmuese 9N210 ose 9N235”.

Amnesty tha gjithashtu se Rusia ka përdorur PTM-1S, “një minë e vogël”.

Donatella Rovera, këshilltarja e lartë e Amnesty International për përgjigjen ndaj krizave, tha se hetimi ishte “një tregues i mëtejshëm i shpërfilljes së plotë të jetës së civilëve”.

“Njerëzit janë vrarë në shtëpitë e tyre dhe në rrugë, në kënde lojërash dhe në varreza, ndërsa ishin në radhë për ndihma humanitare, ose duke blerë ushqime dhe ilaçe”, tha ajo. “Përdorimi i përsëritur i municioneve thërrmuese të ndaluara gjerësisht është tronditës”. /Telegrafi/