LAJMI I FUNDIT:

“America First” dhe Evropa e Bashkuar

“America First” dhe Evropa e Bashkuar
Ilustrim
-->

Vasil Kureta

Ka tashmë, jo thjesht një opinion, por një bindje se SHBA do të aplikojë edhe në marrëdhëniet me aleatët natyrorë evropianë, principin apo filozofinë ”America First”. Kjo ka nxitur analiza e opinione rreth përmbajtjes, cilësisë, funksionimit të Perëndimit e rolit të tij në zhvillimet botërore, madje dhe për të ardhmen e tij, ku nuk mungon edhe një mendim apo dëshirë, që e quan Perëndimin një kapitull të mbyllur. Perëndimi i bashkuar, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot ka rolin e tij të pazëvendësueshëm në zhvillimet botërore, në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë, duke qenë modeli politik, ekonomik e social më i avancuar dhe për t’u konkurruar. Përballja e vendosur frontale me modelin e kampin komunist, dëshmoi edhe epërsinë e madhe, por dhe rolin e rëndësishëm të tij në zhvillimet botërore. Ishte një luftë e ashpër, që përveç përballjes ushtarake, konsumoi gjithçka për stabilitetin dhe paqen. Kjo përballje duket që e lodhi dhe e konsumoi në shumë drejtime Perëndimin, por që fituesi i meritoi të gjitha, duke siguruar një rol të dallueshëm qartë në zhvillimet botërore. Roli i Perëndimit dhe liderit të saj SHBA, kanë qenë vërtet të domosdoshme, efektive, racionale e të mirëpritura.

Brenda këtij ndryshimi historik në zhvillimet botërore, filloi të konstatohej te Perëndimi një “çlirim”, një eufori për fitoren mbi komunizmin dhe një lloj qetësie, shoqëruar me mendimin, se ne jemi fituesi, se ne do të udhëheqim e duhet të dëgjohemi. Perëndimi u përpoq realisht të tregohej i kujdesshëm në ruajtjen e masës në këtë rol, në drejtim të zhvillimeve botërore, teksa u ngulmua në respektimin e ligjit ndërkombëtar, respektimin e bashkëpunimin me organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, por edhe me aktorë të rëndësishëm botërorë e rajonalë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, pak u mendua të kthehej koka e vëmendja brenda vetes, për të vlerësuar konsumimet e menduar përsosjet e domosdoshme, për t’i dhënë frymëmarrje të reja funksionimit së brendshmi të Perëndimit, aq më tepër kur problemet kishin filluar të shfaqeshin.

Kriza botërore financiare e vitit 2008, në një farë mënyre erdhi në momentin e duhur për Perëndimin, erdhi edhe si një tërheqje veshi, për t’u kthyer seriozisht nga vetja, për t’u marrë me veten, vetëpërsosur, për të zhvilluar më tej imunitetin ndaj sëmundjeve, goditjeve dhe sulmeve, që nuk po mungonin ndaj tij. Kur këto sulme e goditje u forcuan, u konstatua edhe tension e shqetësim, por edhe një vetëqartësim për nevojën e kthimit seriozisht të vëmendjes dhe kokës nga vetja, nga ndryshimi dhe ripërtëritja e përmbajtjes së Perëndimit. U konstatua se, nevoja për ndryshim e përsosje po zhvillohej më shpejt në raport me reagimin e mirëmenduar për përsosje. Kjo situatë i hapi rrugë fenomenit që quhet si “grindja” brenda Perëndimit. Themi grindje për të kuptuar cilësinë dhe natyrën e kontradiktave, problemeve e mosmarrëveshjeve që kanë marrë udhë, të dallimeve, ndasive e interesave, jo vetëm të përbashkëta si perëndim, por edhe të atyre konkrete nacionale e shtetërore.

Dalëngadalë, apo si të thuash pa u vënë re, u konstatua se, interesat e shtetit komb po zhvilloheshin fort e të bënin trysni, kryengritje, ndaj interesave të përbashkëta, integruese, perëndimore, madje dhe ndaj sistemit të vlerave, që përbën bazamentin, mbi të cilat është ngritur dhe funksionon modeli perëndimor. Ngarkesa ideologjike brenda Perëndimit, që nga rënia e komunizmit, kishte filluar të dobësohej, që ndikoi direkt në programimin e strategjive për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të vlerave dhe mbrojtjes efektive të tij, jo vetëm nga sulmet nga jashtë, por edhe nga goditjet tashmë edhe të brendshme, në formën e nacionalizmit, populizmit, sovranizmit, mbylljes etj., që mbin brenda hapësirës së sistemit të vlerave e demokracisë funksionale.

Brenda BE kjo situatë u ushqye edhe nga një ngecje reale e avancimit të projektit Evropian. Kjo rrethanë ka mundësuar tashmë që sistemi i vlerave të sfidohet edhe përmes formave të organizuara, sa i përket demokracisë funksionale, solidaritetit, sundimit të ligjit, raportit ndaj përgjegjësive të përbashkëta ekonomike, politike, sociale, krizës së refugjatëve e problemit të emigrimit, që me vonesë u kuptua se po përdoret për interesa imperiale edhe si armë gjeopolitike etj. Megjithatë, një problem serioz apo shqetësues aktualisht brenda Perëndimit lidhet me funksionimin e brendshëm të tij si të tillë, ku vëmendje të veçantë paraqet përmbajtja e marrëdhënies mes SHBA dhe BE, apo aleatëve të saj evropianë. Presidenti amerikan Trump u shfaq transparent, por disi dhe jashtë traditës së mëparshme perëndimore, ku evidentoi, jo vetëm dallime, por dhe kontradikta e kritika konkrete ndaj aleatëve evropianë, për probleme ekonomike, tregtare, por edhe të sigurisë.

Kur presidenti amerikan Trump bëri publike tezën “America First”, aleatëve evropianë iu tërhoqi vëmendjen, por si të thuash e menduan si një filozofi politike në zhvillimin e rolit udhëheqës së SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që kishte të bënte me menaxhimin e rivalitetit e veprimeve nga Rusia e Kina, për ndarjen e fuqisë dhe rolit me SHBA. Në një farë mënyre u mendua se do të ishte një çështje kryesisht e SHBA, ku evropianët do të ishin mbështetës. Në proces filloi të kuptohej se kjo filozofi do të përfshinte edhe rishikimin e “barazisë” brenda Perëndimit, duke i hapur rrugë më shumë kategorive ekonomike të fitimit, te tregut, të efektivitetit, të dobishmërisë për secilin vend. Dhe, në fakt, shpejt erdhën edhe opinione e vlerësime kritike të presidentit Trump, sa i përket partneritetit tregtar, kontributeve për sigurinë dhe funksionimin e NATO-s, në funksion të synimit për ta bërë atë sa më efektive. Tërheqja e SHBA nga marrëveshja për klimën, por sidomos më pas tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin, sikur i zgjoi e i shkundi aleatët evropianë, të kuptonin se një ndryshim tashmë kishte filluar dhe po pasuronte përmbajtjen e tij, që do të prekte shumë ekuilibra të vjetër, që kishin funksionuar.

Aplikimi i filozofisë “America First” edhe brenda Perëndimit prek direkt marrëdhëniet bilaterale SHBA-BE, apo më saktë kërkon ndryshimin e revizionimin e saj. Jo vetëm kritikat ndaj aleatëve, por dhe veprime të tjera si vendosja e tarifave ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, apo deklarimi i SHBA për tërheqje nga Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut etj., dëshmojnë se ndryshimi po pasuron përmbajtjen e tij edhe pse në kushtet kur duket një mungesë e konsultimit mes SHBA dhe aleatëve evropianë. Ndoshta edhe nga kjo mungesë dialogimi paraprak për aplikimin e kësaj filozofie brenda marrëdhënies perëndimore, ka ndikuar në shfaqjen e një shqetësimi e tensioni mes evropianëve apo në vlerësimin e këtij hapi si një politikë egoiste. Samiti i G7 dhe takimi i presidentit Trump me Kim Jong Un, siç u shpreh me sinqeritet Kancelarja gjermane Merkel, i bëri, apo kishte filluar t’i bënte “esëll” evropianët, d.m.th. të kuptojnë qartë e të reflektojnë drejt përmbajtjen e filozofisë politike të SHBA, tashmë edhe në raport me aleatët e vet natyrorë. Vërtet deri më sot BE bënte sikur merrej me veten, me ato deklarimet për “dy shpejtësitë”, me pohime “më shumë Evropë”, apo me grindje të tjera, tash nevojitet një përqendrim e kuptim konkret të nevojës për përsosje të përmbajtjes së marrëdhënies euroatlantike perëndimore.

Perëndimi me përballjen e tij me komunizmin dhe duke e mundur atë, në fakt, ndryshoi botën, rrjedhën historike dhe tani nevojitet të kuptojë se duhet të ndryshojë e përsosë vetveten, ta pasurojë më tej cilësinë dhe përmbajtjen e marrëdhënies perëndimore. Shqetësimet e shfaqura apo reagime e deklarime me tension, dëshmojnë se sa të papërgatitur kanë qenë në njohjen e nevojës për ndryshim të vetvetes, të kësaj nevoje historike. Këtë nevojë historike nuk mund ta përballojë e vetme klasa politike e një apo disa vendeve brenda Perëndimit. Nevojitet mirëorganizimi i një veprimtarie bashkëpunuese me kërkimin shkencor dhe në konsultim të pandërprerë me shtresat sociale e sidomos me brezin e ri, i cili duhet t’i japë fund një shkujdesjeje tronditëse për fatet e të ardhmes së vet. Nevojitet kështu një zgjim dhe kuptim i thellë e kompleks i situatës dhe nevojës historike që po piqet me shpejtësi.

Ministri i Jashtëm gjerman H.Mass me të drejtë bën thirrje për integrim më të mirë të BE dhe për guxim, që dëshmon se po hyhet në brendësi të problemit që duhet përballuar. Të qëndruarit të bashkuar është vërtet element thelbësor, ndërsa guximi nevojitet për përballimin e sfidave të vështira e tepër komplekse. Askush nuk mund të përjashtohet nga angazhimi konkret, por dhe koncepti i pritjes nga dikush e të tjerët nuk mund të jetë efektiv.

Me vlerë të veçantë në përballimin e nevojës për ndryshim e përsosje të modelit e marrëdhënies perëndimore është orientimi i palëkundur nga sistemi i vlerave, nga mbrojtja e vendosur dhe sendërtimi i tyre, që do t’i mundësojë perëndimorët të fuqizojnë identitetin cilësor dallues nga të gjitha modelet e tjera. Sistemi i vlerave përbën çelësin, boshtin metodologjik, filozofik e politik për të ndërtuar një program efektiv përsosjeje të modelit perëndimor e marrëdhënies brenda Perëndimit. Pa sistemin e vlerave nuk ka perëndim, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm e cilësor ekonomik, politik e social. Ndryshimi e avancimi i përmbajtjes e cilësisë së modelit perëndimor dhe marrëdhënies perëndimore, do të prekë të gjithë elementët. Kjo është arsyeja pse lindin shqetësime, tensione, por dhe keqkuptime fillestare. Në këtë kuptim kërkesa për më shumë Evropë, që vjen nga Gjermania, nënkupton sistemin e vlerave dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar e për të kontribuar të gjithë në përballimin e kësaj nevoje të zhvillimit.

Në këto kushte, dallgët e ngritura të nacionalizmit, populizmit, apo të tërheqjes nga interesat e shtetit komb, janë një element negativ për harmonizimin e kontributeve e bashkimin e forcave krijuese, aq më tepër kur prej tyre shfaqet një frymë apo prirje për të relativizuar dokumentet apo traktatet shumëplanëshe. Ka një rëndësi të veçantë fati i projektit Evropian dhe vetë BE, për Evropën dhe për Perëndimin. Ngecja e avancimit të projektit u ka hapur udhë dhe mendimeve e supozimeve konkrete, siç është dhe ajo për mënyrën e funksionimit të saj, siç është dhe mendimi që parasheh një “Evropë e vjetër”, ”Evropa e re” dhe ajo “Ortodokse”.

Kuptohet se rëndësi të veçantë ka modeli perëndimor i zhvillimit, i ngritur mbi sistemin e vlerave. Po kështu, një problematikë konkrete, që do të evidentohet dhe në këtë samit aktual në Bruksel, ekziston edhe sa i përket funksionimit të NATO, ku rëndësi të veçantë ka ruajtja e misionit të saj, sa i përket sigurisë, stabilitetit e paqes, mbrojtjes së modelit perëndimor të zhvillimit, qoftë në formën e mënyrën aktuale, apo në forma të tjera, ku nuk mund të përjashtohet edhe një strukturë evropiane e mbrojtjes. Grindja apo problematika që shoqëron sot marrëdhënien SHBA-BE, në asnjë mënyrë nuk është tregues i gërryerjes apo konsumimit të Perëndimit. Në fakt, kontradiktat e brendshme e impulsojnë ndryshimin e përsosjen. Dhe historia e marrëdhënies perëndimore dëshmon qartë se kontradiktat e brendshme e zgjidhja e tyre e kompaktësuan dhe e kanë bërë efektiv funksionimin e Perëndimit. Natyrisht, në periudhën e përballjes komplekse me komunizmin, kishte shumë më pak transparencë rreth tyre në dallim nga sot.

Edhe pse kontradiktat janë në natyrën e çdo forme të gjallë, ka sot ndonjë që, nisur nga grindja aktuale brenda Perëndimit, mendojnë se SHBA rrezikon t’i kthejë shpinën Evropës. Vështirë të pranohet ky mendim, por edhe në se vërtet ndodh ndonjë ndryshim esencial i kësaj marrëdhënieje mes tyre, atëherë ai do të jetë tregues i një ndryshimi shumë të rëndësishëm në zhvillimet botërore. Historia e Perëndimit dëshmon qartë se zgjidhja e kontradiktave e ka kompaktësuar e pasuruar më tej marrëdhënien perëndimore. Ka shumë rëndësi të shmanget shterpësia apo kriza ideore rreth projektit evropian, por dhe shtratimi i një dialogu të menduar mirë mes BE dhe SHBA, për të shqyrtuar me përgjegjësi problematikën e grumbulluar në marrëdhënien perëndimore. Në këtë situatë ka sot edhe faktorë e aktorë të ndryshëm që u intereson shumë, jo thjesht grindja brenda Perëndimit e thellimi i saj, por edhe një çarje përfundimtare dhe e vërtetë e Perëndimit.

Natyrisht, kjo situatë u intereson aktorëve si terrorizmi etj., që kërcënojnë seriozisht stabilitetin, paqen e sigurinë në botë e rajone konkrete. Kjo grindje e çarje definitive e Perëndimit u intereson dhe interesave konkrete imperiale të rolit botëror e rajonal. Kina dhe Rusia realisht rivalizojnë me SHBA për rol botëror dhe ndarje të fuqisë me të. Në këtë pozicion ato lëvizin të shfrytëzojnë çdo hapësirë të mundshme që krijon kjo grindje perëndimore. Kështu Kina e ndodhur përballë një lufte tregtare me SHBA, e mendon një grupim të saj me BE, apo me disa vende evropiane për të përballuar luftën tregtare, por edhe për të forcuar rolin në zhvillimet botërore.

Po kështu Rusia, që tashmë hapur rivalizon me SHBA në pozicionin e fuqisë botërore, ka interesa e objektiva të qarta gjeostrategjike e synime roli në Evropë, por që ka dhe interesa të rëndësishme ekonomike në këtë hapësirë. Rusia duket se e mendon dhe e beson vërtet, kur përcjell tezën përmes Lavrov se “jemi duke jetuar krijimin e rendit të ri botëror post perëndimor”. Edhe më parë është përcjellë një tezë e tillë, por e risjellë tani në këtë situatë, në prag të samitit të NATO, por edhe në prag të takimit të afërm Trump-Putin ka domethënie konkrete, sa i përket pritshmërive ruse ndaj grindjes perëndimore dhe takimit të Helsinkit. Lavrov, jo rastësisht referohet interesit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me BE, duke mos harruar të flasë për rol dominues të SHBA brenda Perëndimit.

Në samitin e Helsinkit do të ketë realisht një përballje mes “Amerika First” dhe “Rusia First”, që në këto kushte nuk mund të mos i shqetësojë evropianët. Ka shumë të ngjarë që Perëndimi të përballet me një trysni apo luftë komplekse të ftohtë nga aktorë që kanë e zhvillojnë interesa imperiale e të superfuqisë botërore. Samiti i NATO-s dhe takimi i Helsinkit mes Trump dhe Putin, do të sqarojë shumë shqetësime e pikëpyetje të lindura jo rastësisht. Në prag të këtyre zhvillimeve, jo rastësisht, vjen dhe një deklaratë shumë e qartë e zyrtarit të lartë amerikan Mitchall, ku nënvizohet se “Ne kërkojmë marrëdhënie të mira me Rusinë, por kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia të ndalë sjelljen e saj agresive. Ne nuk bëjmë kompromis me parimet tona apo aleatët tanë. ”Siç ka theksuar edhe sekretari Pompeu, “vitet e politikës së butë që mundësuan agresionin rus kanë marrë fund. Ne do t’ia risim kostot agresionit rus deri sa presidenti Putin të zgjedhë rrugë të ndryshme”.