Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Washington të SHBA-ve, ku të enjten do të jetë folëse kryesore në Harkin Global Summit para 600 përfaqësuesve të vendeve të ndryshme të botës.
Një natë më parë në darkën solemne të shtruar për nderë të folësve të këtij samiti ambasadorja ishte pjesë e tavolinës kryesore bashkë me ish-senatorin amerikan, Tom Harkin dhe zyrtar të lartë të administratës së Presidentit Biden të deleguar special që punojnë për çështjen e të drejtave të njeriut në nivel global.
Senatori Harkin riktheu në kujtesë vizitën e tij në Kosovë në vitet e 90-ta, takimet e shpeshta me Presidentin Rugova, kontributin e tij dhe dëshirën e madhe që Kosovën ta shihte të lirë e të pavarur.
“Që nga ajo kohë nuk kam mundur dhe nuk kam pasur ftesë të vizitoj Kosovën, por do të doja shumë që një ditë ta vizitoj atë vend te bekuar dhe ta shoh nga afër progresin qe ka bërë ndërkohë jam shumë i lumtur që juve përfaqësuesen e Kosovës ju kam sonte këtu dhe mezi pres të dëgjoj fjalimin tuaj”, tha Harkin.
Ndërkaq, ambasadorja e falënderoj për kontributin dhe i premtoj që shumë shpejtë do të kujdeset që ta vizitoj Kosovën. /Telegrafi/