Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman, ka paralajmëruar për një valë të re emigrantësh shqiptar që do të hyjnë nëpërmjet kalimit të Kanalit Anglez përmes anijeve të vogla. Reagimi i Braverman vjen pas një sondazhi të kryer nga Ambasada Britanike në Tiranë, sipas të cilit gjysma e të rinjve shqiptarë duan të kalojnë Kanalin për në Britani këtë verë.
Në sondazh u pyetën 1,800 familje në Kukës, që tregoi se gjysma e të rinjve të moshës 17-22 vjeç donin të linin Shqipërinë dhe të shkonin në Britani, pavarësisht nga rreziqet e kalimit të Kanalit.
Sondazhi, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, zbuloi se në përgjithësi 38 për qind e njerëzve në veri të Shqipërisë donin të largoheshin.
Sipas autoriteteve britanike, një rekord prej 45,700 emigrantësh arritën në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar përmes Kanalit, nga të cilët një e katërta ishin shqiptarë.
Sondazhi vjen vetëm një ditë pasi kryeministri britanik Rishi Sunak deklaroi se se numri i shqiptarëve ilegalë që shkonin në Britani ka rënë me 90%, si rezultat i marrrëveshjes së firmosur me Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas kësaj deklarate duke akuzuar qeverinë britanike se e ka shndërruar në një dramë të vazhdueshme situatën me emigrantët shqiptarë, teksa këta të fundit sipas kryeministrit, përbëjnë vetëm dy për qind të të gjithë emigrantëve që hyjnë përmes Kanalit anglez për në Britani.