Ambasada amerikane në Tiranë riposton mesazhin e Rubio për vizat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka ri-postuar në Facebook mesazhin e sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, mbi vendosjen e kufizimeve të reja të vizave për zyrtarët e huaj që kanë gjobitur, intimiduar ose akuzuar shtetas amerikanë për ushtrimin e të drejtës së tyre për lirinë e shprehjes.
“Prej shumë kohësh, shtetasit amerikanë janë gjobitur, shqetësuar dhe madje edhe paditur nga autoritete të huaja për ushtrimin e të drejtës së tyre për lirinë e fjalës. Sot, shpall një politikë të re për kufizimin e vizave, e cila do të zbatohet ndaj zyrtarëve dhe individëve të huaj që janë bashkëpërgjegjës për censurimin e amerikanëve”.
“Liria e fjalës është thelbësore për mënyrën amerikane të jetesës, një e drejtë e lindur, mbi të cilën qeveritë e huaja nuk kanë asnjë autoritet. Të huajt që punojnë për të minuar të drejtat e qytetarëve amerikanë nuk duhet të gëzojnë privilegjin e udhëtimit në vendin tonë. Qoftë në Amerikën Latine, Evropë apo diku tjetër, ditët e trajtimit pasiv ndaj atyre që veprojnë kundër lirive të amerikanëve kanë përfunduar”, ka porositur Rubio të mërkurën në Facebook.
Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit ka njoftuar kufizimin e vizave për zyrtarët e huaj që janë “bashkëfajtorë në censurimin e amerikanëve”.



































