Fëmijët në Kosovë kalojnë mesatarisht mbi tri orë në ditë në media digjitale, kryesisht për argëtim, ndërsa përdorimi i teknologjisë për mësim dhe zhvillim mbetet i kufizuar.

Kështu ka deklaruar Blerta Aliu Ahmeti nga Iniciativa për Fuqizimin e Arsimit.


Sipas saj, fëmijët shpesh ekspozohen ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre, ndërkohë që rastet e dhunës online, bullizmit digjital dhe sfidave të rrezikshme në internet janë në rritje.

“Shumë pak raste kemi kur fëmijët e përdorin teknologjinë për mësim apo zhvillim, ndërsa dhuna online dhe përmbajtjet e pakontrolluara po bëhen gjithnjë e më shqetësuese”, tha Aliu Ahmeti.

Ajo theksoi se, ndonëse edukimi medial është pjesë e kurrikulës në Kosovë që nga viti 2016, zbatimi praktik në shkolla ka qenë minimal, kryesisht për shkak të mungesës së trajnimeve dhe kapaciteteve te mësimdhënësit.


- YouTube www.youtube.com

“Edukimi medial duhet të nisë herët, jo për t’i ndaluar fëmijët nga teknologjia, por për t’i mësuar se si ta përdorin atë në mënyrë kritike dhe të sigurt”, u shpreh ajo.

Aliu Ahmeti foli edhe për projektin “Edukimi Mediatik – Ekspertiza Nordike në Kosovë”, përmes të cilit përvojat e vendeve nordike po përshtaten në kontekstin lokal, në bashkëpunim me disa komuna, me synim forcimin e edukimit medial në shkollat fillore dhe të mesme./Telegrafi/.