Me rastin e 85-vjetorit të ditëlindjes së Alfred M. Uçit.

Është një kënaqësi e veçantë për mua të dërgoj nga Universiteti Winthrop i Karolinës së Jugut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një përshëndetje publike me rastin e 85-vjetorit të lindjes së profesor Alfred M. Uçit.


1.

Në muajin shtator të vitit 1973, duke shëtitur nëpër rrugët e Tiranës, unë, një ish-student i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), pashë librin teorik me titull “Estetika, jeta, arti.” Ai ishte shkruar nga Alfred Uçi. E bleva menjëherë. Për fatin tonë të madh, libri shërbeu si tekst mësimor bazë në lëndën “Estetika,” e cila jepej në ish-Institutin e Lartë të Arteve.

2.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, epiqendra e studimeve etnologjiko-folkloristike shqiptare ka qenë Instituti i Kulturës Popullore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, Shqipëri) (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit). Ky institucion u ngrit në fund të viteve 70-të të shekullit XX si ristrukturim i ish-Institutit të Folklorit, themeluar në vitet 50-të të njëjtit shekull. Një qendër tjetër e rëndësishme kërkimoro-shkencore e historisë, jetës dhe kulturës shqiptare ka qenë Instituti Albanologjik i Prishtinës (Prishtinë, Kosovë), i cili u themelua në fund të viteve 60-të të shekullit XX.

Gjatë viteve 1978-88, plotësisht si një domosdoshmëri historike, si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka qenë pikërsiht profesor Alfred M. Uçi: filozof, estet, studiues i madh i kulturës shqiptare, autor i shumë librave akademike, personalitet shkencor i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit. Vepra e thellë dhe e shumanshme teorike e profesor Uçit ka rrezatuar, rrezaton dhe do të vazhdojë të rrezatojë ndjeshëm në mendimin teoriko-shkencor shqiptar të shkencave artistike në përgjithësi dhe atyre të kulturës popullore në veçanti. S'është aspak e rastit që arritjet më të shquara të Institutit të Kulturës Popullore u shënuan pikërisht nën udhëheqjen shkencore të profesor Uçit.

Vetëm duke filluar gjatë kësaj periudhe historike, punimet e studiuesve të Institutit të Kulturës Popullore mund të krahasohen, përsa i takon metodologjisë, anës profesionale dhe vlerave shkencore në përgjithësi, me punime analoge të kryera në vende të tjera. Përmendim, midis të tjerash, botimin e një numri veprash të rëndësishme në fushën e folklorit e të etnografisë brenda serisë Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar, si: Epika legjendare, Epika historike, Fjalë të urta të popullit shqiptar, Këngë të Luftës Nacional-çlirimtare dhe të Ndërtimit Socialist, etj.

3.

Kur Profesor Uçi u emërua si Drejtor i ish-Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit), u gëzova pa masë! Unë s’e njihja atë personalisht, por kisha lexuar e studiuar thellë pothuajse të gjitha librat e Tij akademikë të admirueshëm mbi estetikën, artin, kulturën, shoqërinë. Kisha mësuar aq shumë prej tyre. Në të vërtetë, formimin tim profesional unë ia detyroj në një masë të madhe pikërisht veprës teorike të Profesor Uçit. Mendova se një njeri i ditur si Ai, sidoqoftë, do të simpatizohej me përpjekjet e një studiuesi të ri, që, sa me dëshpërim, aq edhe me entusiazëm, kërkon të gjejë rrugën e tij në jetë. Unë doja të ëndëroja se një ditë Profesor Uçi do të mund të më tërhiqte me punë në institucionin që Ai drejtonte. (Endrra ime u bë realitet vetëm në saje të dashamirësisë, fisnikërisë dhe parimësisë së Tij të madhe!)

4.

Vepra teorike e Profesor Uçit është pa dyshim përjetësisht universale! Po ashtu, ajo është pa dyshim universalisht e përjetshme! Studiuesit e sotëm e të ardhshëm të kombit shqiptar do të mësojnë vazhdimisht prej saj në shumë aspekte. Ata përulen me respekt të thellë ndaj një emri të ndritur si Alfred M. Uçi, sidomos për vizionin e gjerë, që Ai hapi në punën e tyre studimore, në radhë të parë, përmes librave të Tij akademikë të admirueshëm mbi estetikën, artin, kulturën, shoqërinë.

Gëzuar 85-vjetorin e lindjes, i dashur Profesor Uçi!