Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes.

Në një ceremoni zyrtare në Presidencë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes.


Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së të parës së vendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Ju dëshiroj shumë suksese për gjatë kohës që ju do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. Nuk do të jetë punë e lehtë, edhe unë i kam provuar të dyja pozitat në vitin 2020 dhe një periudhë në vitin 2021, pra të jem edhe kryetare e Kuvendit edhe ushtruese e detyrës së presidentes. Sado që të dyja detyrat kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit, njëkohësisht të udhëheqësh politikën e jashtme të vendit dhe ushtrinë e vendit e shumë detyra të tjera, duke filluar nga përfaqësimi i unitetit të popullit. Janë përgjegjësi e jashtëzakonshme në cilat ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në ditët në vijim”, tha presidentja Osmani gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pozitës së detyrës së presidentes.



Ajo tha se shpreson shumë që Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë që të jetë e mundur do ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re, me shpresën që, siç tha, të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti ynë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon krizat mëdha.

“Kur unë kam ardhur në këtë zyrë në nëntor të vitit 2020, në fakt kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme, siç e dini, kurse sot po ju lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Do të kemi mundësinë për gjatë takimit të diskutojmë për shumë procese që kanë filluar e përfunduar me sukses, por edhe për shumë procese që kanë filluar e shpresoj që ju t'i vazhdoni sa jeni këtu edhe kushdo që do të vijë pas jush”, i tha tutje Osmani kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga sonte në orën 24:00, do ta ushtrojë edhe detyrën e presidentes së vendit.

Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nga Albulena Haxhiu nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive.

Dy kandidatë të paraqitur nga partia në pushtet, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit gjatë një seance më 5 mars.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.