Aktakuzë ndaj një burri në Gjakovë për kanosje me armë ndaj bashkëshortes dhe vëllait të saj

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit G.G., për katër vepra të ndryshme penale, që përfshijnë kanosje me armë zjarri, lëndim trupor, posedim të paautorizuar të armëve si dhe posedim të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 26 shkurt 2025, rreth orës 13:00, në shtëpinë e të pandehurit në rrugën “I.G.” në Gjakovë. Në një akt të rëndë të dhunës në familje, i pandehuri G.G., për shkak të xhelozisë dhe dyshimeve për tradhti, ka kanosur me armë automatike AK-47 bashkëshorten e tij E.G. dhe vëllain e saj, I.H., duke u thënë se do t’i privojë nga jeta.
Prokuroria sqaron se përveç kanosjes, G.G. ka përdorur një thikë për të sulmuar fizikisht bashkëshorten, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, të konfirmuara nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Gjatë hetimeve, është vërtetuar se i pandehuri ka mbajtur në posedim armë dhe municion pa leje, në kundërshtim me Ligjin për armë nr. 05/L-022. Po ashtu, në shtëpinë e tij janë gjetur substanca narkotike, për të cilat nuk ka pasur autorizim ligjor.
Me këto veprime, G.G. akuzohet për kryerjen e këtyre veprave penale:
“Kanosja” – Neni 181, paragrafi 4 i KPRK-së
“Lëndimi i lehtë trupor” – Neni 185 i KPRK-së
“Mbajtja e paautorizuar e armëve” – Neni 366 i KPRK-së
“Posedimi i paautorizuar i narkotikëve” – Neni 269 i KPRK-së
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj tij deri në marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor.
Rasti mbetet në shqyrtim nga gjykata kompetente.




















































