Aktakuzë kundër tetë personave për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër personave: A.L, R.H, F.G, F.A, G.A. Z.B, L.N dhe F.S, në rastin e shenjtëruar “SHKURTI”, pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda.
Prokuroria Speciale i akuzon A.L, R.H, F.G, F.A, G.A., se kanë kryer veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe ndihmë në kryerje të veprës.
Njëri nga pjesëtarët e grupit me inicialet A.SH gjendet në arrati dhe kundër tij janë pezulluar hetimet dhe është lëshuar 'Letër Rreshtimi'.
Kurse ndaj tre personave të tjerë: Z.B, L.N dhe F.S. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale".
Sipas aktakuzës, grupi i organizuar dyshohet se me qëllim të përfitimit material prej muajit shkurt 2017 deri me 30 prill 2017, janë marrë me blerjen, transportin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, ashtu që në aksionin e Policisë të DHTN-së në Ferizaj, në muajin prill janë gjetur dhe sekuestruar, 824 kg e 706 gram narkotikë të llojit Marihuana, e cila është gjetur në disa lokacione në Ferizaj.
Narkotikët janë sekuestruar së bashku edhe me automjetet dhe mjetet e tjera të përdoruara në kryerjen e veprës penale apo për fshehjen e narkotikëve. /Telegrafi/
















































