LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzat e konfirmuara të Speciales për krerët e UÇK-së, reagimet e liderëve politikë brenda dhe jashtë vendit – gjithçka që ndodhi në Kosovë

Aktakuzat e konfirmuara të Speciales për krerët e UÇK-së, reagimet e liderëve politikë brenda dhe jashtë vendit – gjithçka që ndodhi në Kosovë

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzat për dy shokët e luftës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli, të njohur me nofkat “Gjarpri” dhe “Luli”. Konfirmimi i aktakuzave u bë publike ditën e enjte (5 nëntor).

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, ishte i pari që njoftoi se tashmë aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar, transmeton Telegrafi.

Veseli përmes një deklarate publike tha se aktakuza ndaj tij është konfirmuar dhe se ai do të nisej drejt Hagës.


“Dje pasdite, jam informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Përmes kësaj deklarate, dua t’i informoj qytetarët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe”, kishte thënë Veseli.

Gjithashtu, Veseli bëri të ditur se po tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë do të zgjasë ky proces.

“Kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, ishte shprehur Veseli.

Konfirmimi i aktakuzës për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi:

Pak orë pas deklaratës së Veselit, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se edhe aktakuza ndaj tij është konfirmuar.

Thaçi në një konferencë për media, theksoi se aktakuza është konfirmuar dhe se ai jep dorëheqje nga posti i presidentit.

“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë.

Për të mbrojtur integritetin e Presidencës, shtetit të Kosovës, qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës dhe duke respektuar partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar presidenti.

Dorëheqja e Thaçit, Vjosa Osmani emërohet ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.

Pas dorëheqjes së Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani pranoi zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës.

Osmani në një adresim për qytetarë pohoi se në këtë kohë kërkohet lidership i fuqishëm, transmeton Telegrafi.

“Veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë. Shpreh vlerësimin për të gjithë ata që kanë treguar besim në institucionet tona dhe që u janë përgjigjur ftesave të Dhomave të Specializuara. Beteja për shtet ndërtim, është beteja më e vështire. Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm. Ne kemi nevojë për solidaritet. Do të promovoj vlera, do të angazhohem që Kosova të bëhet shtet dhe ëndrrat e qytetarëve jetësohen”, ka deklaruar Osmani.

Përveç Thaçit dhe Veselit, Specialja një ditë më para ka konfirmuar aktakuzat edhe për dy ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin.

Hetuesit e Speciales arrestuan ditën e mërkurë, Jakup Krasniqin, pas dhjetë orësh bastisje në shtëpinë e tij.

Ndërsa, Thaçi, Veseli dhe Selimi sot pasdite kanë udhëtuar drejt Hagës.

Reagimet për aktakuzat e Speciales ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit:

Deklarata e Qeverisë së Kosovës:

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”.

Reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës:

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë.

LDK shprehet e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, si dhe apelon që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm”.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës:

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara.
Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.
Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”.

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate:

“Përkundër vuajtjeve individuale dhe familjare që kanë ngërthyer në vetvete këto procese, unë kam besimin e plotë se bashkëluftëtari im, presidenti i vendit z. Hashim Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit tjerë, luftën e UÇK-së do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces. Sado të rënda të jenë padrejtësitë kundër fateve individuale dhe kolektive që janë bërë dhe po bëhen ndaj luftëtarëve të lirisë, ne duhet të tregojmë lidership të vërtetë në këto rrethana të vështira për shtetin tonë”.

Ilir Meta, president i Shqipërisë:

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike. Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë:

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”.

Njoftimi i Speciales për konfirmimin e aktakuzave ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit:

“Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se pas arrestimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor.

Në njoftim thuhet se, gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020. Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment, transmeton Telegrafi.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

“Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftim.

Dhomat e Specializuara theksojnë se “Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

 Po ashtu, Specialja ka publikuar emrat e zyrtarëve të tjerë të UÇK-së që i konsideron “pjesë të grupit kriminal”

Me publikimin e aktakuzës ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale ka publikuar edhe emrat e disa zyrtarëve të tjerë të cilët po i konsideron “pjesë të këtij grupi kriminal”.

Aty bëjnë pjesë: Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas Speciales, disa prej tyre nuk ishin anëtarë të “ndërmarrjes kriminale, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes për të kryer krime”.

Funksionet që kanë pasur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në UÇK:

Hashim Thaçi – Ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë post ia kishte besuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Postin e mbajti deri më 19 shtator 1999, kur Ushtria  u transformua në TMK.

Kadri Veseli –   Ishte shef i Shërbimit Informativ të Kosovës

Jakup Krasniqi – Gjatë luftës, ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku më pas ishte emëruar zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Rexhep Selimi –  Ishte themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm (SHP). Më 28 nëntor 1997 ai ka bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së. /Telegrafi/