Aksion kundër spiunazhit nga Prokuroria, AKI dhe Policia e Kosovës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Në njoftim thuhet se operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.
"Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi", thuhet në njoftimin e tyre.
Vlen të ceket se edhe para disa javësh, policia kishte arrestuar disa persona të dyshuar për spiunazh, ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit. /Telegrafi/






























