Telegrafi

Aksion i jashtëzakonshëm në rajonin e Mitrovicës, për tri ditë kontrollohen mbi 600 persona – vetëm tek njëri është gjetur një pistoletë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, me qëllim të ruajtjes se rendit dhe sigurisë në vazhdimësi ka ndërmerr masa dhe  veprime parandaluese duke kontrolluar për tri ditë mbi 600 persona në orët e mbrëmjes në tri komuna, Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në saje të kësaj, në përputhje me autorizimet hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbështetje edhe të njësive tjera, në tri ditët e fundit në orët e mbrëmjes kanë realizuar kontrolle në disa lokale në qytetet Mitrovicë e Jugut, Vushtrri e Skenderaj.

“Kontrollet e jashtëzakonshme janë realizuara në lokacione të ndryshme, ku janë kontrolluar mbi 600 persona, ku përveç një rasti në një lokal (kafiteri) në  Mitrovicë, ku te një person është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit pistoletë, tek personat tjerë nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.

Gjatë realizimit të këtyre kontrolleve, policia është përkujdesur që të gjitha masat e ndërmarra të jenë në përputhje me ligj dhe akte tjera normative duke respektuar të drejtat dhe liritë e çdo qytetari.

Policia, falënderon qytetaret për mirëkuptim gjatë kontrolleve të kësaj natyre, që kanë për qëllim parandalimin  e  gjërave të kundërligjshme që hasen në posedim te qytetarët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/