Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (Fast Kosova), me mbështetje të Njësisë Speciale Operative, sot më 21.02.2024, ka arritur të lokalizojë dhe më pas të arrestojë në Ferizaj, një shtetas të Kosovës, i cili ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.
I arrestuari është Visar Avdyli, teksa i njëjti ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021.
Burimet e KosovaPress bëjnë të ditur se vendndodhja e tij u zbulua nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI)
Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera, të cilat me gjasë janë të falsifikuara.
Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli nga Baerumi në Norvegji, që më herët ishin burgosur për terrorizëm, akuzohen për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20-vjeç, dy vite më parë në Norvegji.
Ata ishin në kërkim ndërkombëtar që nga tetori i vitit 2021.