Arsenali e nisi sezonin e ri të Ligës Premier me një fitore të madhe në “Old Trafford”, ku mposhti Manchester Unitedin me rezultat minimal 1-0.

Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 13-të. Pas një goditjeje nga këndi të Declan Rice, portieri i Man United, Altay Bayindir, gaboi në dalje dhe topi përfundoi në zonë, ku mbrojtësi italian Riccardo Calafiori u gjend në vendin e duhur për ta dërguar me kokë në rrjetë.


Debutimin në Ligën Premier e bëri edhe sulmuesi suedez Viktor Gyokeres, i cili iu bashkua Arsenalit këtë verë nga Sporting për 65 milionë euro.

Pavarësisht se sezonin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë në Evropë me 54 gola në të gjitha garat, ndaj Man United ai nuk arriti të tregojë nivelin e pritur.

Gyokeres nuk realizoi asnjë goditje në portë, pati vetëm katër pasime të sakta dhe u zëvendësua në minutën e 60-të, duke u vlerësuar me notën 6.0 nga Sofascore.

Transferimi i tij nga Portugalia te Arsenali nuk ishte i lehtë. 27-vjeçari bojkotoi stërvitjet me Sportingun për të shtyrë largimin, duke refuzuar çdo ofertë tjetër dhe duke këmbëngulur se dëshironte vetëm kalimin te “Topçinjtë”.

Në fund, klubi portugez u detyrua të pranojë shitjen, duke e bërë Gyokeres njërin nga transferimet më të bujshme të verës. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app