LAJMI I FUNDIT:

Ahmetaj: Deputetët mos ta mbajnë peng Kosovën (Video)

Ahmetaj: Deputetët mos ta mbajnë peng Kosovën (Video)

Mos ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin po e mbanë peng Kosovën për të marrë liberalizimin e vizave. Kështu thotë ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, sipas së cilës varet komplet nga politika në vend nëse qytetarët do të vazhdojnë të jenë të izoluar apo do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Në një intervistë për KosovaPress, ministrja Ahmetaj thotë se tanimë janë shterur të gjitha argumentet rreth debatit për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ish ambasadorja e Kosovës në Bruksel, pëlqen që t’iu besojë institucioneve që vet i kanë krijuar dhe të mos e mbajmë më Kosovën pengë të demarkacionit.


“Ne e kemi parë punën e komisioneve si është bërë. Mendoj që debati për demarkacionin është hargjuar, ajo çka mbetet të ne është të kaloj në Kuvend dhe të votohet. Jam shumë e bindur që deputetët do t’i thërrasin arsyes dhe të mos e mbajnë pengë Kosovën për kriterin e fundit i cili ka mbetur pa u plotësuar. Ka mjaft raste në rajon të cilat kanë qenë avancuara në procesin e integrimit dhe për shkak të politikave apo problemeve të brendshme kanë ngecur, ndërsa të tjerat kanë avancuar dhe sot janë shtete anëtare siç është Kroacia”, tha Ahmetaj.

Ministrja Ahmetaj është e bindur se në momentin që Kuvendi i Kosovës e ratifikon marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova do të përfitojë liberalizimin e vizave. Ajo përmend garancat e dhëna nga krerët e Bashkimit Evropian.

“Në në vazhdimësi i kemi dëgjuar deklarimet e zyrtarëve me të lartë të BE-së, presidentit Junker, Donald Tusk, po ashtu edhe vizita e fundit e zyrtares së lartë të BE-së Federica Mogherini në Kosovë e konfirmoj edhe një herë se Kosova në momentin që e tejkalon çështjen e demarkacionit në Kuvend do të vazhdoj me proceset brenda institucioneve të BE-së që t’i ipet edhe Kosovës liberalizimi i vizave. Prandaj nuk kam çka tjetër të shtoj, fjala e tyre është garancë për Kosovën”, tha Ahmetaj.

Megjithatë, ajo nuk pëlqen të jap data se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, por do të punoj që të përmbushet edhe kriteri i fundit, ai i demarkacionit.

“Përkushtimi im do të jetë që ne së pari t’i përmbushim të gjitha kriteret dhe në këtë rast po përmendi kriterin e demarkacionit i cili ka mbetur i vetmi nga kriteret që kemi në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe në momentin pastaj që ne përmbushim edhe këtë kriter mbetet të shihet dhe të punohet në vazhdimësi dhe me intensitet të shtuar si me institucionet e BE-së, ashtu edhe me shtetet anëtare që të arrijmë të jemi edhe ne pjesë e listës së bardh siç janë edhe shtetet e rajonit. Nuk dëshiroj të flas me afate kohore sepse gjithçka varet nga ne vet, nuk mund të vazhdojmë me tutje pa e përmbushur këtë obligim që është i yni tani për tani”, shton ajo.

Kosova ka pasur kritere me shumë se secili shtet në rajon në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, porse Ahmetaj nuk dëshiron t’i quaj të drejta apo të padrejta, kriteret e vëna për Kosovën derisa nuk u janë vënë shteteve tjera, sidomos çështja e demarkacionit.

“Po nisim nga Sllovenia dhe Kroacia, ato e kanë zgjidhur problemin e tyre sepse Kroacia nuk ka mundur të bëhet shtet anëtarë pa e zgjidhur vijën kufitare. Tani të çështja e kritereve ne kemi pranuar udhërrëfyesin si të tillë dhe çdo debat, çdo kthim pas në diskutime a është drejtë a jo e drejtë nuk na dërgon askund. Ajo që ne duhet në këtë moment të bëjmë është ta kalojmë demarkacionin në Kuvend. Shumë kritere që ne kemi pasur, shtetet tjera nuk i kanë pasur. Ne kemi pasur dyfishin e kritereve që shtetet e rajonit krahasim me neve i kanë pasur”, thekson Ahmetaj.

Këtë vit shtetet kryesore të Bashkimit Evropian kanë zgjedhje të brendshme, siç janë Gjermania, Franca e Holanda, porse sipas ministres Mimoza Ahmetaj, nuk pritet të ndikojnë në procesin integrues të Kosovës as në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në qoftë se Kuvendi ratifikon marrëveshjen për demarkacionin.

Ahmetaj ka folur edhe për kriterin tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, luftimi i krimit dhe korrupsionit, për të cilin thotë se është plotësuar dhe këtë e kanë thënë edhe vet udhëheqësit e BE-së.

“Luftimi i krimit dhe korrupsionit është dukur të cilën ne në vazhdimësi ta luftojmë dhe ajo nuk është vetëm në raport me liberalizimin e vizave, por për të krijuar një shtet stabil politikisht dhe ekonomikisht, gjëja e parë që duhet luftuar është krimi dhe korrupsion, prandaj ne kemi vënë theksin e veçantë në këtë luftimin e kësaj dukurie. Janë rezultate të matshme, të prekshme të cilat komisioni i ka vlerësuar, prandaj në këtë stad konsiderohet kriter i përmbushur, dhe nuk do të thotë që ne në vazhdimësi nuk duhet luftuar për mirëqenien e vendit tonë dhe qytetarëve tanë”, është shprehur Ahmetaj.

Ish ambasadorja Ahmetaj, me tutje thekson se Kosova është në rrugë të mirë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Mirëpo, ajo nuk pëlqen të përmend kohë se kur Kosova do të aplikoj për statusin kandidat për anëtarësim në BE. Sipas saj, për aplikim për statusin kandidat nevojitet vendim i gjerë i spektrit politik në momentin që vlerësojnë se Kosova ka arritur në atë stad për të aplikuar.

“Kosova në ditën kur e ka nënshkruar MSA-në e ka pasur të trasuar rrugën e vet drejt integrimit dhe anëtarësimit si shtet me të drejta të plotë brenda Bashkimit Evropian. Është synim i yni, unë edhe në Kuvend e kam thënë para se Kosova të jetë shtet ne e kemi pasur synim integrimin dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Tani është dëshirë e jona por një vendim i tillë do të kërkon vendim nga të gjitha strukturat e shtetit dhe unë shpresoj që në momentin që ne shohim që është moment i duhur të aplikojmë për marrjen e statusit kandidat para se t’i hapim negociatat. E rëndësishme në këtë stad është të aplikojmë për statusin kandidat sepse Kosova është ende me statusin e shtetit potencial kandidat”, tha Ahmetaj.

Kosova tashmë gati një vit po bëhen që ka nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, që është Marrëveshja për Stabilizim Asociim. Ministrja Ahmetaj thekson se rezultatet konkrete nga nënshkrimi e MSA-së vërehen çdo ditë.

“Në kohën kur ne po flasim është ende pa u bërë një vit prej kur ka hyrë në fuqi MSA-ja, me saktë gjashtë muaj të plotë prej kur është krijuar mekanizmi i parë i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Nga analiza që ne kemi bërë na del që realizimi i objektivave tona ka qenë në përputhshmëri me atë që ne kemi planifikuar në vitin e parë. Siç thash janë në proces të krijimit, të ndërtimit të strukturave e MSA-së të cilat ende nuk janë finalizuar. Grupet e para në komitete janë takuar dhe rezultatet e para ne i shohim në vazhdimësi. Në kohën kur bëhet një vit i plotë ne do të kalojmë nëpër secilin segment, nëpër secilin nën-komitet dhe secili nën-komitet do të vije me rezultate konkrete se çka është arritur në varshmëri nga plani i punës se ku kemi arritur në përmbushjen e saj”, është shprehur ministrja Ahmetaj.

Kosova po ashtu ka nënshkruar marrëveshjen korznië me BE-në për qasje në fondet e BE-së dhe vetëm për vitin 2016 nga fondet e IPA-s do të përfitoj 45 milionë euro. /Telegrafi/