Admir Mehmedi, tashmë po bën histori në futbollin evropian. Ai admirohet nga futbolldashësit për shumë arsye për modestinë, lojën e bukur, disiplinën, por edhe elegancën në fushë. Të gjitha këto komponente e bëjnë Admirin, një lojtar me një perspektivë të ndritshme, prandaj ai tashmë i ka hapur vetes horizontet e suksesit e në këtë kontekst edhe ftesat nga klubet e mëdha kanë filluar t’i vijnë bashkë pandërprerë!
Intervistoi: Dashnim Hebibi
Futbollisti shqiptar Admir Mehmedi, deri tani anëtar i skuadrës FC Zurich, si dhe reprezentues i Zvicrës, ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me gjigantin ukrainas të futbollit (13 herë kampion) Dinamo Kiew. Admiri, i lindur në Gostivar të Maqedonisë ka fituar disa trofe me Zuerich-un dhe vlerësohej ndër sulmuesit më të mirë në Zvicër.
"Të gjitha ndeshjet e kanë nga një histori të veçantë. Në ndeshjen me Young Boys, në Cyrih kur shënova golin e fitores më 2010, u vlerësova si lojtar i kombëtares zvicerane dhe ishte aty pikërisht trajneri Hitzfeld, i cili poashtu e vlerësoi lart lojën time duke më komplimentuar se këtë konstatim e kisha merituar”, na thotë Admiri.
Për të gjitha që kanë të bëjnë me karrierën, jetën private si dhe planet, ndiqni intervistën ekskluzive që e realizuam këtyre ditëve me futbollistin, Admir Memhmedin.
Si është Admiri në mesin e një klubi të madh?
Admir Mehmedi: Jam shumë mirë. I gjithë ekipi më ka pritur mirë. E kam gjetur veten menjëherë në mesin e gjithë stafit të klubit.
E ke pritur se do të mirëprisnin kështu?
Admir Mehmedi: Padyshim se e kam pritur, duke njohur sukseset e këtij klubi, që të gjithë e dimë se sa i madh është dhe sa lojtarë të njohur ka pasur dhe ka. Kishin ardhur mbi 80 gazetarë dhe më kanë bërë pyetje, kështu që menjëherë e pashë veten në mediumet e atjeshme. Ata presin nga unë shumë dhe unë do të mundohem që të jem i suksesshëm.
Je caktuar sulmues i parë në Dinamo?
Admir Mehmedi: Po, i kam thënë edhe babait tim. Duke njohur veten dhe me ushtrimet që po bëhen, unë do të jem në formacion të parë të ekipit tim. Dihet se Dinamo ka sulmues shumë, jo më pak se shtatë, por unë kisha parandjenja se do të isha ndër të parët, falë punës që kam bërë në stërvitje dhe që jam duke bërë vazhdimisht.
Cili numër i fanellës është më i miri për Admirin?
Admir Mehmedi: Në skuadrën e Dinamos e kam numrin 13. Por, numri nuk ka edhe aq rëndësi, sepse në lojë nuk shikohet numri. Ai numër i fanellës është më shumë për komentuesin e ndeshjes dhe shikuesve që nuk ia dinë emrin lojtarit dhe identifikohen me numër të fanellës. Gjithmonë e kam dashur 10 dhe 11.
Besoj se dallimet janë të mëdha në mes të Dinamos dhe Cyrihut, ku keni luajtur më parë?
Admir Mehmedi: Ka dallim, normalisht. Në çdo shtet ka rregulla tjera, por futbolli është futboll. Unë kam shkuar, siç dihet, nga Cyrihu në Dinamo, kjo tregon se klubi ku kam qenë është shumë i madh, por Dinamo, vërtetë është shembullore.
E ke pasur të vështirë komunikimin në ditët e para me lojtarët e ekipit?
Admir Mehmedi: Jo, nuk e kam pasur sepse edhe unë u pata interesuar se kush janë ata, njëkohësisht edhe ata për mua. Gjithmonë në ekip është gjuha e futbollit. Vërtetë më kanë pritur shumë mirë. I falënderoj të gjithë si staf.
Me cilin lojtar fillove të shoqërohesh më shumë?
Admir Mehmedi: Unë i zotëroj katër gjuhë dhe nuk e kam problem. Por, lojtari nga Maqedonia, Goran Popov, më ka ofruar shoqëri që ta njoh më mirë qytetin dhe disa nga rregullat atje. Meqë ky lojtar e ka parë se jam shqiptar dhe vij nga Maqedonia, ka dashur që të jemi më të afërt, sepse e njeh mentalitetin tonë dhe e pranoi shoqërinë time.
Ke luajtur për kombëtaren e Zvicrës dhe luan ende, pra ke edhe pasaportën zvicerane. E ke menduar se një ditë do të luash për shtetin e Zvicrës?
Admir Mehmedi: Kur kam filluar si fëmijë, nuk e kam menduar, por më vonë kam luftuar që të jem në këtë kombëtare dhe ja që fati e deshi dhe jam pjesë e saj. Luaj dhe do të luaj për kombëtaren e Zvicrës, kam pasaportë zvicerane, por me gjak jam shqiptar.
Sa vjeç ke qenë kur ke ardhur në Zvicër?
Admir Mehmedi: Babai im e ka të kryer fakultetin ekonomik dhe ka punuar tetë vjet në Gostivar. Por, kur ka parë se situata atje nuk po shkon si duhet, ai është detyruar të vijë në Zvicër. Xhaxhai im ia ka dërguar një ftesë dhe ka ardhur në Belinzona të Tiçinos, pra në pjesën italiane. Babai ka punuar 12 vjet në një piceri, duke na mbajtur neve si familje. Kur ai e fitoi vizën B na ka marrë neve, unë atëherë isha katër vjeç.
Si fillove të luash futboll?
Admir Mehmedi: Më kujtohet një ditë që i pata kërkuar babait tim 50 franga që të regjistrohesha në klub të futbollit, në atë të Bellizonas. Babai im ishte shumë i ngarkuar për të mbajtur familjen dhe mua më bëhej sikurse ai nuk më dëgjoi dhe iu drejtova vëllait dhe nënës. Nëna më dha të hollat. Ka qenë viti 1994.
Lidhur me këtë pyetje, më kujtohet një storie që i ka ndodhur babait të cilën po ua citoj: "Një ditë, në orar të punës, erdhi një grua zvicerane e pjesës italiane dhe më tha: "Mirëdita! Ju jeni babai i Admirit. E keni parë djalin tuaj në gazetë? Dhe ma tregoi një gazetë ku shkruante se Admiri është më i miri. Aty e kam kuptuar se ka talent dhe e ka shumë seriozisht këtë punë. Pastaj, pas një jave, po ata persona erdhën në shtëpinë time. Më thanë nëse kisha mundësi të bisedonim dhe nëse djali im mund ta shoqëronte djalin e tyre. Kjo familje zvicerane është shumë e pasur dhe unë u habita, dhe njëkohësisht më erdhi shumë mirë. E pashë se kjo familje ishte e ngritur". Pra, ky rast mi ka hapur dyert e suksesit.
Në familjen tuaj, a ka patur futbollist para teje?
Admir Mehmedi: Babai më ka treguar se xhaxhai im ka luajtur, por jo në ndonjë ligë profesionale, por ka pasur dhe ka talent.
Si u bë që nga Bellizona të vinit në Cyrih?
Admir Mehmedi: Si fëmijë kam qenë ambicioz dhe nuk kam munguar kurrë në stërvitje, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Në vitin 2000, babait tim iu desh që të largohej nga ky qytet për në Cyrih, sepse xhaxhai jonë pati hapur një restorant dhe i duhej ndihma. Në atë kohë, e kujtoj, babai im u pat mërzitur shumë, duke menduar se do ta humbisja karrierën, sepse po largohesha nga klubi. Por, me të ardhur në Cyrih, babai im kishte shkuar në Winterthur dhe kishte biseduar me drejtues të klubit. Sapo bëra një stërvitje, më pranuan dhe kështu filloi puna përsëri drejt sukseseve. Kam luajtur nëpër turne të ndryshme në Cyrih dhe Bazel. Duke luajtur nëpër këto turne, i kam rënë në sy ekipit të Cyrihut dhe Bazelit dhe e zgjodha Cyrihun, sepse isha më afër familjes dhe babai thoshte deri në moshën 17 vjeç është mirë të jesh këndej, e pastaj vendosim ndryshe. Ende pa i mbushur 17 vjet, mora statusin e futbollistit profesionist. Menjëherë me klubin e Cyrihut bëra kontratë deri në vitin 2013.
Më mirë ndjehesh si sulmues në ndeshje, apo …?
Admir Mehmedi: Jo si sulmues tipik, por si ndërlidhës i lojës, e herë-herë edhe sulmues, varësisht situatës.
Ke shoqëri me futbollistë tjerë shqiptarë që janë në Zvicër?
Admir Mehmedi: Po, natyrisht edhe atë shumë të mirë, si me Xherdan Shaqirin, Amir Abrashin, Ardian Nikçin, etj, etj.
Admir, ishte pagesa më e mirë kriter i përcaktimit tënd për Dinamon?
Admir Mehmedi: Natyrisht se çdo njeri ka dëshirë që të ketë të mira materiale, por tek unë nuk ka qenë kjo, por duke ditur se kjo skuadër është shumë e njohur dhe përmes kësaj mund të jem edhe më i suksesshëm në të ardhmen,e kam zgjedhur pikërisht këtë.
E viziton vendlindjen?
Admir Mehmedi: Po, shumë shpesh. Kur isha më i vogël kam shkuar dhe jam i lidhur me atje shumë, sepse nga ai vend jam dhe jam shqiptar. Familjen time të ngushtë, gjyshen time që e dua shumë, por asnjëherë nuk kthehem këndej pa i vizituar edhe varret, që lutem për më të dashurit e mi dhe për të gjithë të vdekurit. Para se të shkoja në Dinamo, kam shkuar në Gostivar dhe e kam takuar gjyshen time dhe të afërmit atje që i kam.
Ke luajtur futboll edhe në Maqedoni kur keni qenë i vogël?
Admir Mehmedi: Po, kam luajtur. Gjithmonë gjatë pushimeve që i kemi pasur, një javë e kam lënë të lirë dhe pastaj babi im është përkujdesur të më gjejë profesorë të edukatës fizike që të ushtroj, pra të mos ndahesha nga ushtrimet.
Cili është kujtimi më i mirë gjatë tërë ndeshjeve që i ke pasur në Cyrih?
Admir Mehmedi: Të gjitha ndeshjet e kanë nga një histori në vete. Një ndeshje me Young Boys, kur dhashë golin fitues, ishte ndeshja në Cyrih, pra në vitin 2010. Në këtë ndeshje, u definova si lojtar i kombëtares zvicerane dhe ishte trajneri Hitzfeld aty dhe e pa se e meritoj të jem pjesë e kombëtares zvicerane.
Ke pasur takime të shumta me futbollistë të ndryshëm botërorë. Me cilin e ke ndërruar fanellën më me dëshirë?
Admir Mehmedi: Ka qenë interesant ndeshja me Milanin dhe e kam ndërruar dresin me Pato. Dhe atë fanellë e ruaj edhe sot. E kam pasur të preferuar.
Gjatë ndeshjeve shpesh të kemi parë që me duar jepni një mesazh. Na trego se cili është ai mesazh?
Admir Mehmedi: Po, i bashkoj duart dhe e bëjë një zemër, që ia dhuroj familjes sime dhe gjithë atyre që më duan.
Pse e zgjodhe Dinamon?
Admir Mehmedi: E zgjodha, se është klub i madh dhe me perspektivë. Disa herë më i madh se aty ku kam qenë dhe e kisha kohën kur u deshtë të ndërmarr një hap të tillë.
Cili gol ka qenë më domethënësi për ty?
Admir Mehmedi: Kurrë nuk e harroj golin në Danimarkë, në vitin 2010, përmes të cilit, Zvicra u kualifikua.
Mendon që një ditë të kthehesh përsëri në Cyrih?
Admir Mehmedi: Gjithsesi, për të kontribuar në këtë klub, edhepse më kanë thënë se pas dhjetë vjetëve do të jesh ai i merituari që do ta drejtosh klubin e Cyrihut. E kam lënë derën hapur edhe për gjeneratat tjera që do të vijnë. Më kanë përcjellur me përqafim.
Ke të dashur dhe a planifikon të martohesh me shqiptare?
Admir Mehmedi: E kam amanet prej babait dhe nënës që të martohem me shqiptare, pavarësisht se nga cila trevë e atdheut të jetë. Jo pse jemi kundër ndonjë kombi tjetër, por duan që nipi apo mbesa e tyre të flasë gjuhën e mëmëdheut. Ua kam premtuar këtë, por njëherë nuk është koha, megjithëse nuk i dihet fatit. Do ta përmend këtë fjalë që më ka thënë babai im: "Nëse nuk martohesh me shqiptare, sytë do të më mbesin hapur kur do të ndahem nga kjo jetë".
Dasmën do ta bëj në vendlindje, por për shoqërinë time edhe në Zvicër. Do të kisha dashur shumë të bëja një aheng edhe në mes të kryeqytetit shqiptar, në Tiranë.
Sigurisht se jeta në Kiew jeta aty është e shtrenjtë. Si e përballoni këtë?
Admir Mehmedi: Jetoj në një banesë, por shpenzimet e saj i heq klubi (3000 dollarë), kam në dispozicion veturë dhe truprojë.
Çka u preferon bashkëmoshatarëve tuaj?
Admir Mehmedi: Të rinjtë, mendoj ata që janë të moshës mes 15 dhe 20 vjeç, duhet të angazhohen shumë, nëse dëshirojnë një ditë të jenë të suksesshëm. Është një moshë në të cilën ia vlen të investohet shumë. Kur je i ri, mund të ndërtosh një bazë solide për të ardhmen tënde jetësore. Po kaloi kjo moshë, atëherë është vonë, iku treni.
Faleminderit për intervistën dhe suksese në fushën e gjelbër dhe në jetën tuaj shumë dinamike.
Admir Mehmedi: Ishte kënaqësi! E përshëndes edhe njëherë familjen time, tifozët e mi që i kam shumë në tërë Zvicrën dhe padyshim vëllezërit e një gjaku dhe gjuhe. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova
"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave
Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë