Administrata Trump ka të drejtë, marrëdhëniet me Kinën duhet të rishikohen

Burimi: The Daily Telegraph (titulli origjinal: The Trump administration is right. We are too close to China)
Përkthimi: Telegrafi.com
Këshilltari për tregtinë i presidentit Trump, Peter Navarro, ka paralajmëruar Britaninë që të mos lejojë Kinën të hedhë në tregun e saj mallra të lira, të cilat ShBA-ja i ka goditur me tarifa të rrepta. Sipas tij, “Mbretëria e Bashkuar është bërë shërbëtore tepër e bindur e Partisë Komuniste Kineze [PKK]”, e joshur nga një “regjim autoritar merkantilist që sjell dhurata”.
Kjo gjuhë është tepër e ashpër, ose edhe e pasjellshme, në varësi të pritshmërive që ka secili në këto kohë marrëdhëniesh transaksionale. Por, Navarro ka një arsye - madje shumë të tilla. Ky është një moment i përshtatshëm për të shqyrtuar me kujdes atë që paraqitet si politika e qeverisë laburiste ndaj Kinës, dhe për të vlerësuar objektivat e saj. Akuzat e Navarros shtrihen përtej sferës së marrëdhënieve ekonomike. Me mungesë të “auditimit për Kinën” të premtuar nga qeveria, dhe pa një Rishikim të Mbrojtjes që pritet prej kohësh, çfarë dimë për qasjen e qeverisë ndaj angazhimit me parti- shtetin komunist kinez dhe si do të përputhet kjo me marrëdhënien tashmë më komplekse të Britanisë me Amerikën e epokës Trump 2.0?
Navarro ka parasysh ecurinë e Mbretërisë së Bashkuar në raport me Kinën. Për ta sqaruar këtë, duhet të rikthehemi te kritikat zyrtare të kohëve të fundit për politikën britanike ndaj Kinës. Gjatë qeverisë së mëparshme konservatore, në korrik 2023, Komiteti Parlamentar për Inteligjencën dhe Sigurinë (ISC) publikoi një raport 200-faqësh për Kinën, duke zbuluar paaftësinë e politikës britanike ndaj Kinës në mbrojtjen dhe ndjekjen e interesave kombëtare dhe çështjeve parimore ndërkombëtare.
Përgjigjja zyrtare e qeverisë u publikua në shtator 2023. Ajo përsëriste gjuhën e përdorur në Rishikimin e Integruar të Politikës të vitit 2021 dhe “rifreskimin” që pasoi, duke e përkufizuar Kinën si një “sfidë sistemike dhe përcaktuese për epokën” - një frazë pa ndonjë kuptim të qartë - për të cilën qasja e duhur ishte “mbrojtje, përafrim, angazhim”. Sipas këtij dokumenti, legjislacioni ekzistues dhe ai i fundit “adreson shumë nga shqetësimet e ISC-së”, megjithëse pranohej se “ka fusha ku mund të bëjmë më mirë”.
Këto deklarata nuk përputhen me kritikat e ashpra të ISC-së, siç shihet në pasazhet më poshtë:
“Megjithatë, është shqetësuese që komuniteti i sigurisë, dhe qeveria në përgjithësi, ishin të vetëdijshme për shumë nga këto çështje, prej vitesh, dhe megjithatë ne sapo kemi filluar të shohim zbatimin e masave për të mbrojtur interesat sovrane të Mbretërisë së Bashkuar. Mungesa e veprimit për të mbrojtur asetet tona nga një kërcënim i njohur ishte një dështim i rëndë ... për të cilin Mbretëria e Bashkuar mund të ndjejë pasojat për vite me radhë. Edhe tani, qeveria britanike po fokusohet në kërcënimet afatshkurtra apo akute, duke dështuar të mendojë në aspektin afatgjatë”.
Të tjerët kishin të njëjtin shqetësim. Në atë periudhë, në kontekstin e një skandali spiunazhi kinez në Parlament, Sir Iain Duncan Smith akuzoi kryeministrin dhe Parlamentin se ishin “tepër të dobët” ndaj Kinës. (Në janarin e kaluar, ai ishte më i ashpër, duke e përshkruar Sunakun si “tepër të nënshtruar” ndaj Republikës Popullore të Kinës).
Çfarë ka ndryshuar nën qeverinë e re laburiste? Mbase nuk është e habitshme të thuhet “shumë pak”. Motoja e saj e re për politikën ndaj Kinës - po aq boshe sa sloganet e vetë PKK-së - është: “bashkëpunojmë kur mundemi, konkurrojmë kur kemi nevojë, sfidojmë kur duhet”. Fatkeqësisht, pa përkufizime për “mundemi”, “kemi nevojë” dhe “duhet”, këto pjesë nuk do të thonë asgjë. Në vend të kësaj, në janar 2025 e shohim ministrin e Financave në Pekin duke përdorur gjuhën e PKK-së, duke premtuar “marrëdhënie respektuese dhe të qëndrueshme me Kinën” - për të cilat realpolitika zero-sum kineze nuk është aspak e njohur. Miti i dialogut produktiv vazhdon, siç shihet në një deklaratë të fundit të qeverisë: “Marrëdhënia pragmatike e Mbretërisë së Bashkuar me Kinën do të mbështetet gjithmonë në interesat e punëtorëve britanikë”. Fati i [kompanisë] British Steel e dëshmon të kundërtën.
Qeveria e mëparshme e Mbretërisë së Bashkuar ndaloi Huawei-n nga rrjeti 5G vetëm pasi sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo, kërcënoi me përjashtimin nga shkëmbimet e inteligjencës me ShBA-në. Qeveria e re laburiste ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar “nuk do të detyrohet kurrë të zgjedhë mes ShBA-së dhe Kinës”, por kjo deklaratë po fshihet nga tornadoja e tarifave të Trumpit 2.0. Si dëshmi e vonuar e vendosmërisë, British Steel është shpëtuar pjesërisht nga sabotimi kinez; mijëra panele diellore të prodhuara nga skllevërit ujgurë nuk do të instalohen më dhe nuk do të përdoren për të sinjalizuar virtytin si të pastra dhe të gjelbra; dhe kompanitë si Shein mund të mos arrijnë të bëjnë ofertë publike në bursën e Londrës.
Por, këto masa reagimi nuk përbëjnë një politikë serioze ndaj Kinës. Një dokument i fundit qeveritar mbi marrëdhëniet dypalëshe përsërit klishetë e vjetruara se “pavarësisht ... sfidave, ekzistojnë ende mundësitë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës, përfshirë lidhjet e forta ekonomike dhe bashkëpunimin në arenën globale”. “Bashkëpunimi” duket se ende nënkupton luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe promovimin e shëndetit global - asnjëra nga të cilat nuk ka pasur ndonjëherë vend të besueshëm në agjendën gjeopolitike të PKK-së. Lidhjet e forta ekonomike me Kinën sot nënkuptojnë më shumë varësi të kundërshtarit.
Politika e tri fjalive të mësipërme është një dëshirë e bukur, por jo reale. PKK-ja e sheh Mbretërinë e Bashkuar si një relike dekadente të shtypjes koloniale, të shkëputur nga Evropa, të pasigurt nëse Trumpi 2.0 ka ende ndonjë konsideratë për “marrëdhënien speciale”, si dhe të përfshirë në konfliktin e Ukrainës, pa fuqinë, pasurinë apo lidershipin për të ndikuar në rezultatin e saj. Pse Kina duhet të bashkëpunojë me Britaninë në tregti, edhe nëse ndonjëherë do të ekzistonte një fushë e barabartë loje? Po kështu, kur Kina luan vetëm sipas rregullave të një lufte binare leniniste, çfarë shprese ka që Britania të konkurrojë me sukses?
Dhe, më e rëndësishmja: a ka ndonjë provë që “sfidat” britanike - qofshin për të drejtat e njeriut, spiunazhi në Parlament, shtypja në Hong-Kong, ekspansionizmin në Detet e Kinës, apo qëllimet keqdashëse ndaj Tajvanit - kanë pasur ndonjë efekt, sado të vogël? Sidomos kur këto ndiqen në mënyrë kontradiktore dhe paralelisht me dy aspiratat e para optimiste?
Kjo del shumë qartë nga përpjekja e sekretarit të Jashtëm për të ngritur “shqetësime serioze” për Hong-Kongun me homologun e tij kinez në tetor 2024, dhe nga takimi i kryeministrit Starmer me Xi Jinpingun në muajin pasues gjatë samitit të G20-së - një audiencë që ishte dukshëm asimetrike.
Kur më në fund do të dalë Rishikimi i Mbrojtjes, do të nevojitet një mënyrë krejt tjetër e të menduarit strategjik në mënyrë që grupi luftarak detar i Mbretërisë së Bashkuar të ketë ndonjë qëllim të qartë ndërsa kalon pranë Tajvanit. /Telegrafi/

















































