Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit, bëhet e ditur se Abdixhiku dhe Lajçak diskutuan për situatën e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


“Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Abdixhiku ndër të tjera tha se LDK-ja mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtarë në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit.

“Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit”, thuhet tutje në njoftim.

Lajçak do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë deri nesër, 29 qershor. Gjatë ditës së sotme ai ka takuar edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të AAK-së, Ramush Haradinajn, ndërsa një ditë më parë kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/

290350441 569221187906638 2909807102813866888 n

289253888 569221214573302 4682856424502844725 n

289736716 569221164573307 8462140432343458565 n