AAK nis prezantimin e kandidatëve, Mumin Morina i bashkohet garës së 28 dhjetorit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë publik kandidatin e parë për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke prezantuar inxhinierin e njohur të ujësjellësit, Mumin Morina.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar lart përvojën profesionale dhe kontributin shumëvjeçar të Morinës në fushën e ujërave.
Haradinaj theksoi se Morina ka ndërtuar reputacion të jashtëzakonshëm në projektimin, zhvillimin dhe menaxhimin e infrastrukturës hidroteknike, duke përmendur punën e tij si Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan.
Në njoftimin e tij, Haradinaj e lidhi kandidimin e Morinës me një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së ardhshme të Aleancës: zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të zeza në të gjithë Kosovën.
“Kur hapim çeshmën dhe kemi ujë, kemi shpresë. Uji është jetë dhe siguri për familjet tona,” shkroi Haradinaj, duke nënvizuar se Qeveria e Aleancës synon ndërtimin e shtatë digave të reja dhe ngritjen e impianteve moderne të trajtimit të ujërave në komunat më të vogla.
Ai shtoi se furnizimi me ujë për qytetarët, bizneset dhe bujqit do të zgjidhet përfundimisht, duke e ngritur Kosovën në standarde të reja të zhvillimit dhe mirëqenies.
Në fund, Haradinaj i ka uruar sukses Morin Morinës në garën për deputet, duke theksuar se “Kosova ka nevojë për të.” /Telegrafi/



















































