Gjykata Themelore në Prizren ka reaguar lidhur me raportimet se 35 të ndaluarit në rastin e Byrosë Kosovare të Sigurimit po mbahen pa vendim pas skadimit të afatit ligjor.

Gjykata Themelore e Prizrenit në një komunikatë për media thekson se me rastin e përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masë së sigurisë ndaj 39 të pandehurve, Gjyqtari i procedurës paraprake të premten në përfundim të seancës (ora 22:10), ka konstatuar në procesverbal se të pandehurit do të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit në mënyrë që Gjykata t’i njoftojë lidhur me aktvendimit për propozimin/kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren.


“Ky vendim i Gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform neni 162 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 8 ku thuhet se ‘Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda 48 orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim (në rastin konkret brenda 48 orësh është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore Prizren), dhe në vazhdim të paragrafit thuhet se ‘Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim’, çka edhe Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal në rastin konkret”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/