Debati për zgjedhjen e presidentit në Kosovë vazhdon të mbetet i bllokuar mes qëndrimeve të pushtetit dhe opozitës, ndërsa kërkesa për një figurë të pavarur po bëhet gjithnjë e më e theksuar.


Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj tha se në këtë proces po përplasen dy qasje, ajo e pushtetit për të pasur një president të afërt politikisht dhe ajo e opozitës për të ruajtur balancën institucionale.

“E kuptoj intencën e Lëvizjes Vetëvendosje që të jetë dikush që ia ruan vijën politike… në anën tjetër e kuptoj edhe opozitën që kërkon balanc, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm,” u shpreh Mushkolaj.


Ai theksoi se raporti mes presidentit dhe kryeministrit nuk duhet të jetë domosdoshmërisht i njëjtë në çdo çështje, duke nënvizuar rëndësinë e pavarësisë institucionale.

“Presidenti dhe kryeministri nuk duhet të jenë domosdoshmërisht në një vijë për çdo çështje… mund të ketë mendime dhe qëndrime të ndryshme,” tha ai shkruan Telegrafi.

Sipas Mushkolajt, problemi kryesor mbetet rreziku që posti i presidentit të politizohet.

“Nuk na duhet një president kukull politike… na duhet një person me integritet që e kryen detyrën sipas Kushtetutës dhe nuk i nënshtrohet askujt,” deklaroi ai.


Ai shtoi se ka përshtypjen që pushteti po synon një emër të tillë, ndërsa opozita po heziton të dalë me propozime konkrete.

“Opozita po heziton për shkak se po e ka frikë… por kjo nuk e amniston që të mos propozojë emra,” theksoi Mushkolaj.

- YouTube www.youtube.com

Në këtë situatë, sipas tij, mungesa e guximit politik dhe e ofertave konkrete po e zgjat edhe më shumë krizën për zgjedhjen e presidentit. /Telegrafi/.