A ndikoi Romero në zëvendësimin e portierit çek? Tudor tregon arsyen pse i dha besimin dhe pse e largoi nga loja

Trajneri i Tottenham Hotspur, Igor Tudor, mbrojti vendimin e tij për të zëvendësuar portierin 22-vjeçar Antonin Kinsky që në minutën e 17-të gjatë humbjes së rëndë 5-2 ndaj Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve.
Kinsky, i cili ishte aktivizuar në vend të portierit titullar Guglielmo Vicario, bëri dy gabime të rënda që i mundësuan ekipit spanjoll të shënonte golin e parë dhe të tretë të ndeshjes.
Pas gabimeve, disa nga shokët e skuadrës si Conor Gallagher, Dominic Solanke dhe Joao Palhinha e shoqëruan drejt tunelit për t’i ofruar mbështetje.
Gabimi i parë erdhi kur portieri rrëshqiti dhe humbi kontrollin e topit pranë zonës së tij, ndërsa në aksionin e tretë goditi topin në këmbën e tij duke e lënë Julian Alvarez përballë një porte të zbrazët për rezultatin 3-0. Në ato momente, kapiteni Cristian Romero dukej sikur i sugjeronte trajnerit të bënte ndryshimin.
Cuti Romero pidiendo a Igor Tudor que sacara a Kinsky
📽️ @gercarrara pic.twitter.com/piMTONbgig
— CRACKS (@cracks_oficial) March 10, 2026
Megjithatë, Tudor theksoi se vendimi ishte plotësisht i tij dhe kishte për qëllim të mbronte lojtarin.
“Çfarë ndodhi është shumë e rrallë. Kam qenë trajner për 15 vjet dhe nuk e kam bërë kurrë këtë. Ishte e nevojshme ta mbroja djalin dhe ta mbroja ekipin. Është një situatë e pabesueshme”, deklaroi Tudor.
Trajneri kroat shtoi se vendimi për ta aktivizuar Kinskyn ishte i drejtë para ndeshjes, duke marrë parasysh presionin mbi Vicario-n dhe situatën e vështirë të ekipit.

“Ishte zgjedhja e duhur para ndeshjes. Tony është një portier shumë i mirë. Pas ndeshjes është e lehtë të thuash se nuk ishte vendimi i duhur, por unë ia shpjegova edhe atij këtë gjë. Ai është një djalë i mirë dhe një portier cilësor”, u shpreh Tudor.
Ai theksoi gjithashtu se gabimet ndodhën në një ndeshje shumë të madhe dhe se skuadra qëndron plotësisht pas portierit të ri.
Ndërkohë, kriza e rezultateve për Tottenhamin vazhdon, pasi ekipi londinez ka humbur gjashtë ndeshje radhazi për herë të parë në historinë e klubit dhe ndodhet vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga Liga Premier. /Telegrafi/





















































