A do të rikthehet Kylian Mbappe për Superkupë? Xabi Alonso jep detaje

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka konfirmuar se klubi do të bëjë gjithçka të mundur për ta rikthyer Kylian Mbappen në kohë për Superkupën e Spanjës, pavarësisht dyshimeve të mëdha rreth gjendjes së tij fizike.
Sulmuesi francez po vuan prej disa javësh nga një lëndim në gju, ndërsa në fund të dhjetorit u diagnostikua zyrtarisht me problem në ligament. Afati i rikuperimit prej rreth tre javësh e ka vënë seriozisht në pikëpyetje paraqitjen e tij në Superkupë.
Pas ndeshjes ndaj Real Betisit, madrilenët do të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite, ku më 8 janar do të përballen me Atletico Madridin në gjysmëfinale. Edhe një finale e mundshme ndaj Barcelonës ose Athletic Bilbaos, tri ditë më vonë, duket se mund të vijë shumë herët për Mbappen.

Megjithatë, Alonso nuk e ka humbur shpresën.
“Do të shtyjmë deri në fund afat. Gjithçka varet nga mënyra se si ndihet ai dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta rikthyer sa më shpejt. Kur? Kjo është pyetja. Nuk e di ende. Një përgjigje më të qartë do ta jap në konferencën e ardhshme për shtyp”.
Në mungesë të Mbappés, Gonzalo Garcia ka lënë përshtypje pozitive, ndërsa Alonso pranoi se mund të rikthejë disa ide taktike të përdorura gjatë verës.
“Ishim fleksibël. Nuk ndryshuam shumë, por u përshtatëm me lojtarët që kishim. Tani kemi disa lojtarë më shumë, disa mungojnë dhe duhet të gjejmë mënyrën më të mirë për t’i kombinuar pjesët”.
“Luajtëm mirë edhe pa Kylianin, por më vonë do të na mungojë, sepse ndikimi i tij është i jashtëzakonshëm – jo vetëm për golat, por për gjithçka që sjell në lojë. Megjithatë, duhet të jetojmë me lëndimet, edhe pse ato nuk janë kurrë të mirëpritura”.
“Kam shumë besim te ata që do të luajnë nesër dhe ndaj Atletico Madridit. Kjo është një skuadër, dhe uniteti, besimi i ndërsjellë dhe fryma ekipore janë thelbësore”./Telegrafi



































