46 doza kokainë për shitje, Policia arreston në flagrancë dy dyshuarit në Himarë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar dy të dyshuar në Himarë, të cilët janë kapur në flagrancë dhe i janë gjetur 46 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe kontrollet e vazhdueshme me fokus goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wave”.
Të arrestuar janë E. U., 46 vjeç dhe S. M., 46 vjeç, të dy banues në Elbasan.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip ‘Fiat’, me të cilin lëviznin këta shtetas, dhe më pas në banesën që kishin në përdorim në fshatin Vuno, Himarë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 46 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë gati për shitje, një peshore elektronike, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tre aparate celularë”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/


















































