Cilat ishin planet për ndarjen e Bosnjës? Çfarë ka biseduar Tugjmani me Milosheviqin? Çfarë thoshte Milosheviqi për Kosovën? Çfarë tregtie bëhej gjatë luftës? Si përgjohej Milosheviqi? Për këto dhe shumë çështje tjera flasin: Hërvoje Shariniq, shef i kabinetit të Tugjmanit, Stipe Mesiq, kryetar i Kroacisë, Haris Silajxhiq, ish-kryeministër boshnjak, Lord Peter Carrington, diplomat anglez, Ejup Ganiq, nënkryetari i dikurshëm boshnjak, dhe Sir David Owen, diplomat britanik? Telegrafi sjell shkrimin e publikuar në numrin 10 të shtojës analitike javore “Lajm Plus” (ditorja “Lajm”), të publikuar më 13 maj 2006.
• Sa herë jeni takuar me Milosheviqin?
Hërvoje Shariniq: 14-të herë. 13 herë në takime të fshehta politike, ndërsa herën e 14-të si kryetar i Këshillit drejtues të INA-s. Këtë herë e takova në rezidencën e Titos në Dedinje. Ai u ngrit nga tavolina dhe më përqafoi.
• Çfarë njeriu ishte Milosheviqi. Në ato takime me siguri keni biseduar nga dy-tre orë. Ju, me ose pa dëshirë, pjesërisht jeni bërë edhe miq…!?
Hërvoje Shariniq: Në disa momente ishte njeri shumë interesant; kishte refleks te shkëlqyeshëm të të menduarit, i kapte shumë shpejt gjërat dhe ishte përfaqësues i “shpirtgjerësisë” serbe. Kur kam dëshmuar në Hagë, më vinte rëndë! Kam biseduar me të më shumë se 40-të orë dhe kjo – doni ose jo – sjell një afrim.
• Ku i bënit takimet e fshehta? Në rezidenca të veçanta? Dhe, si shkonit deri në Beograd?
Hërvoje Shariniq: Gjithmonë udhëtoja me aeroplanin e UNPROFOR-it, që fluturonte nga Zagrebi për në Beograd e deri në Shkup, kurse shpesh edhe me aeroplanin e Ministrisë norvegjeze të Mbrojtjes. Ne aterronim në Aeroportin e Batajnicës. Që të më impresionon, gjatë kohës së luftës, serbët kishin renditur në aeroport të gjithë aeroplanët ushtarakë MIG
Në fillim, më së shpeshti takoheshim në rrugën “Andriq”, matanë rrugës së Parlamentit, ku dikur rrinte mbreti. Pastaj në Vilën “Serbia”. Ju e dini se republikat e dikurshme kishin vila në Beograd, por ja që në vilën “Kroacia” nuk kemi biseduar asnjëherë. I thashë njëherë, por ai ma ktheu se atje po punohet diçka.
Në Dobanovcë, 20 kilometra në jug të Beogradit, Tito kishte një vend gjuetie dhe kishte dy shtëpiza të bukura gjuetie. Njëherë atje u ndala për fjetje. Mua më lejuan që të flija në krevatin e Jovankës. E, të paktë janë ata që mund mburren se kanë fjetur në krevatin e saj!
• Si ndodhi që mediumet botërore nuk arritën të zbulojnë diçka nga e gjithë kjo?
Hërvoje Shariniq: Njëherë u kuptua diçka sepse, sipas protokollit, kaloja nëpër derën kryesore, kurse atje tashmë ishin dy mercedesë dhe 50 fotoreporterë.
• Nuk kishit frikë të shkonit në ato takime të fshehta?
Hërvoje Shariniq: Dy herë kam qenë edhe në Kninin e okupuar dhe kam biseduar me Boro Mikuliqin. Atëherë e mbaja kokën në thes.
• Çfarë pinit në ato takime?
Hërvoje Shariniq: Kur shkoja tek ai – Milosheviqi – në zyre, kisha gjithnjë vendin tim ku duhej të ulesha. Kamerieri i veshur në të bardha ishte 10-12 metra larg nesh dhe nuk mund të dëgjonte se çka flisnim. Me shenjë të Milosheviqit, na sillte nga një gotë Vilamovkë. Ai mua më thoshte se kjo ishte më e mirë dhe se amerikanët e kishin lavdëruar shumë. E pinte atë me fund. Unë nuk pi alkool të rëndë. Ndërsa, po ta pija “eks” një Vilamovskë, sikurse ai, do të bija nga karrigia.
• Ishte qejfli i Vilamovkës?
Hërvoje Shariniq: Shumë, madje e tepronte me të.
• Çfarë mendimi kishte Milosheviqi për njerëzit tjerë, p.sh. për Gligorovin, Sheshelin, Drashkoviqin, Gjingjiqin etj. Si i përjetonte kundërshtarët e tij politikë?
Hërvoje Shariniq: Shumë keq. Ishte shumë narcis. Shumica e politikanëve janë të tillë, por tek ai kjo ndjenjë ishte shumë më e shprehur. Njëherë më tha: “Kur mua dikush ma thotë një marrëzi, mendoj se ndoshta e kam dëgjuar dobët, por kur ma thotë për herë të dytë, atëherë menjëherë e përzë”. Kjo ishte politika e tij. Aliun nuk mund ta paramendonte. Ndërsa për Kiron thoshte: “Eh, komunisti”. Kur është fjala te Kiro, mbaj mend se njëherë më tregoi një rrëfim për djalin e tij, që kishte qenë në njëfarë gare automobilistike në Greqi, prej nga ishte kthyer në Serbi përmes Maqedonisë. “Plak, çka na duhet ai kufi, e gjithë ajo është e jona”, i kishte thënë ai. Milosheviqi mendonte se herët a vonë Maqedonia do të bashkohet me Serbinë.
• Si shef i shërbimeve të fshehta kroate, i pari keni krijuar kontakt me shërbimin e fshehtë amerikan CIA. Pikërisht nëpërmjet këtij kontakti, shërbimi i fshehtë amerikan do të kontrollojë komunikimet dhe funksionimin e Slobodan Miloshevqit. Si keni arritur që ta përgjoni Milosheviqin?
Hërvoje Shariniq: Edhe për mua ka qenë e çuditshme se si ne kemi mundur që ta përgjojmë Milosheviqin. Disa njerëz nga shërbimi i fshehtë kroat kanë thënë se kjo nuk ishte shumë meritë e jona, sa ishte mbrojtja e tyre e dobët kundër përgjimit. Bile, një kohë mendonim se na mashtronin dhe se ne regjistronim informacione të gabuara.
• Si ishte e mundur që nga Zagrebi të regjistroni? Keni pasur mjete të sofistikuara?
Hërvoje Shariniq: Nga CIA dhe shërbimet franceze morëm pajisje shumë të mira. Kishim 11 telefona që na i dhanë amerikanët. Unë tallesha me ta duke u thënë se askush nuk mund të na përgjojë, pos tyre.
• Cilat ishin bisedat më të shpeshta – pas përgjimeve – me Milosheviqin?
Hërvoje Shariniq: Shërbimet tona të spiunazhit kishin informacione dhe ato unë i krahasoja me informacionet e mia gjatë bisedave me Milosheviqin. Kishim informacione edhe për përgjimin e tij. E dinim shumë mirë se cilat ishin qëllimet e Milosheviqit.
• A keni bërë tregti me naftë dhe me armë gjatë kohës së luftës?
Hërvoje Shariniq: Kjo punë shpërtheu në atë kohë, sepse njerëzit që punonin në hekurudha nuk dinin të mbyllnin gojën. Situata e tyre ishte e vështirë. Ne u jepnim naftë për tanket e tyre, kurse ata i shtynin për të vrarë njerëzit tanë.
• Është interesant rrëfimi për Miço Mihajlloviqin, i cili i ka dhënë të holla Ante Markoviqit, për ta hapur biznesin privat në Grac të Austrisë…?
Hërvoje Shariniq: Unë atë njeri s’e kam kuptuar asnjëherë. U afrua si lidhje me Karaxhiqin. E dërgova automjetin që ta merrte nga kufiri dhe ta sillte në Zagreb. Ai ishte njeri i Karaxhiqit, biznesmen, tregtar, i cili dëshironte që Banja Llukën ta bënte një Trieste të re, ku të gjithë do të shkonin në shoping, kurse ai do të përfitonte.
• Keni bashkëpunuar me Karaxhiqin, nëpërmjet marrëdhënieve indirekte…?
Hërvoje Shariniq: E kam takuar Karaxhiqin në Dobanovc, kur ai e tha atë thënien historike se asnjëherë nuk kishte menduar se do t’ua vizatonte shtetin turqve (sikurse i quante myslimanët). Kishte një problem ai atëherë: serbët kishin okupuar 70 për qind të Bosnjës, kurse bashkësia ndërkombëtare konsideronte se duhej të kishin vetëm 49 për qind. Karaxhiqi më thoshte: “Do të më vrasin këta të mitë”.
• Në Bosnjë secili luftonte kundër secilit, por njëkohësisht secili bashkëpunonte me secilin, me naftë dhe me armë. Si do ta vlerësoni këtë, nga një distancë dhjetëvjeçare?
Hërvoje Shariniq: Në Bosnjë të gjithë luftuan kundër njëri tjetrit dhe të gjithë ishin aleatë. Kjo ishte tragjedia. Kishte këtu edhe teprime, kur thuhej se serbët u kishin dhënë tanke myslimanëve dhe kroatëve si Rent-a-tenk.
• Çka e frikësonte më shumë Milosheviqin?
Hërvoje Shariniq: Nuk jepte shenja se frikësohej nga diçka.
• Kur e ka kuptuar se projekti i tij për Serbinë e Madhe ishte i dështuar?
Hërvoje Shariniq: Kjo është e vështirë të thuhet. Ai deri në fund mbeti optimist se do të dilte fitues, mbi të gjithë dhe të gjitha problemet.
• Çfarë mendonte ai sa i përket Kosovës?
Hërvoje Shariniq: Kemi bise- duar shumë për Kosovën. Kishte vendosur rreth Prishtinës një artileri të tërë dhe kur shqiptarët kishin vrarë dhjetëra serbë, ai më tha se kishte dhënë urdhër që fshati të rrafshohej përtokë dhe më ai fshat të mos ekzistonte.
• Si e konsideroni sot Milosheviqin dhe gjithë ato bisedime me të?
Hërvoje Shariniq: Në pyetjen hipotetike se ç’do të bëja po të lindja sërish, mendoj se nuk do ta kisha hedhur atë segment të jetës sime.
***
KUSH ËSHTË HËRVOJE SHARINIQ?
Më shumë se 30 vjet e fitoi bukën “e hidhur të kurbetit”, në Francë. Gjatë këtyre tridhjetë viteve u bë ekspert i projektimit dhe ndërtimit të centraleve bërthamore; gjatë këtyre 30 vjetëve, përveçse në Francë, punoi në Amerikën Jugore, Afrikën Jugore, Marok, Algjeri dhe në Jugosllavinë e Titos. Kah fundi i viteve ’80-të dhe fillimi i viteve ’90-të, Hërvoje Shariniqi kthehet në Kroaci, ku bëhet bashkëpunëtor i ngushtë i Tugjmanit. Nga ky pozicion ka pasur 13 takime të fshehta me Slobodan Milosheviqin. “Milosheviqi kishte simpati për mua. Unë duhej të isha i kujdesshëm, sepse këto takime ishin komprometuese për opinionin publik në Kroaci. Në Igallo mbaj mend të ketë pirë katër-pesë raki, kur më përqafoi. Ndërsa, gjithçka regjistrohej nga fotoreporterët”, thotë Shariniq.
Një njeri që di shumë për të fshehtat politike – jo vetëm në Kroaci, por edhe në rajonin ballkanik – tërhiqet nga politika në kulmin e karrierës (para gjashtë vjetëve). Më vonë, në rrethana të pasqaruara, vdes djali i tij më i vjetër. Sot Hërvoje Shariniq jeton në një lloj izolimi politik, në Samobor, në periferinë e Zagrebit.
***
PLANET PËR NDARJEN E BOSNJËS
• Nëse bëhet një listë e takimeve më kontroverse dhe më absurde të historisë më të re ballkanike, me siguri do të mbeten dy takimet ndërmjet Tugjmanit dhe Milosheviqit, të mbajtura para më shumë se dhjetë vjetëve në Karagjorgjevë dhe Tikvesh. Milosheviqi dhe Tugjmani kanë vdekur. Çfarë ndodhi në ato takime?
Hërvoje Shariniq: Ka shumë spekulime për sa i përket asaj që është biseduar, për pjesën më delikate – Bosnjën. Në Karagjorgjevë dhe Tikvesh unë isha në tresh vetëm dhjetë minuta. Pastaj ata shkonin dhe shëtisnin në park. Kishte spekulime se KOS-i kishte vënë mikrofona. Kjo është thënë disa herë, por nuk është e vërtetë.
Stipe Mesiq: Tugjmani ka thënë se do të shkonte vetëm në takim me Milosheviqin. Në pyetjen time se pse shkonte vetë, ai tha se dëshironte që ta kuptonte sy më sy se çfarë dëshironte Milosheviqi. U kthye i kënaqur nga Karagjorgjeva dhe tha: “Ja, këto janë hartat”. Hartat i mbante shefi i kabinetit, Hërvoje Shariniqi. Milosheviqi sipas tij tha: “Franjo, ti merre Cazinin, Kladushën dhe Bihaqin. Kjo mua nuk më duhet, kjo është Kroacia turke”.
Hërvoje Shariniq: Mua më thoshte Tugjmani, në aeroplan, se Bosnja ka qenë një nga temat e diskutimeve. Gjithë marrëdhëniet serbo-kroate kalonin nëpër Bosnjë. Megjithatë, askush nuk mund të vërtetojë se kanë biseduar për ndarjen e Bosnjës. Këto janë spekulime.
Haris Silajxhiq: Ata bashkëpunonin në një plan të gjerë, pavarësisht përplasjeve që ndodhnin ndërmjet tyre; mbaheshin mes vete në planin global që ishte – ndarja e BeH-së.
• Alija Izetbegoviqi, ish-kryetar i ndjerë i BeH-së, ka thënë: “Asnjëherë nuk ka ndonjë dokument për këtë çështje. Por, është folur se në Karagjorgjevë është arritur marrëveshja për ndarjen e Bosnjës. Kryetari Gligorov ishte i pari që më informoi me këtë fakt…”…!?
Stipe Mesiq: Kiro Gligorovi ishte kundër çdo lloj ndryshimi të kufijve. Andaj, nuk i shkonte ndërmend që ta bindte Alija Izetbegoviqin të pranonte një propozim të këtillë. Tugjmani nuk u shqetësua nga kjo dhe tha: “Në rregull, atëherë le të hyjmë në garë”!
Hërvoje Shariniq: Në një hotel, në Bruksel, ishim vetëm tre veta: Izetbegoviqi, Tugjmani dhe unë. Alia tha: “Përse nuk e merrni Hercegovinën. Ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Bosnja do të ishte pak më e vogël, por do të kishim kufij të njohur ndërkombëtarisht”. Tugjmani u përgjigj: “Ne jemi për gjithë Bosnjën. Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, do të shohim”.
***
LUFTA SI BIZNES
• Një kohë të gjatë Shariniqi ka qenë lider financiar i lobit më të fuqishëm ekonomik në Kroaci, që kontrollonte gjithë tregtinë e naftës. Shariniqi ishte kryetar i Këshillit drejtues të rafinerisë INA. Një kohë të gjatë ai konsiderohej si një nga lojtarët më të mëdhenj të naftës në rajon. Andaj, mendohet se të gjitha bisedimet e fshehta ndërmjet Shariniqit dhe Milosheviqit orientoheshin pikërisht në këto gjëra. Grupimit të tij më vonë i bashkëngjitet Vanja Shpilak, djali i komunistit të dikurshëm kroat, Mika Shpilak (që kishte relacione të mira me Slobodan Milosheviqin). Ky grupim mbante lidhje të shkëlqyeshme me serbët e Bosnjës dhe të Kroacisë. Njeriu për kontakt me Karaxhiqin, ishte Miço Mihajloviq, i cili ia dha të hollat Ante Markoviqit për të filluar biznesin e tij privat pas rënies së ish-RSFJ-së. Me serbët në Kroaci Shariniqi vendos kontakte përmes njeriut të afërt të Milosheviqit, Boris Mikeliqi. A bashkëpunonin armiqtë gjatë luftës?
Hërvoje Shariniq: Sigurisht se po. Kur je në luftë, atëherë gjithçka mund ta shumëzoni me dy ose tre herë. Unë gjithmonë kam bërë shaka kur isha kryeministër dhe thosha se, nëse do të hapja dritaren për të pyetur se kush do të bëjë tregti me armë, menjëherë do të vraponin së paku 20 veta. Ne ishim nën embargo dhe gjithçka duhej ta blinim me para në dorë.
Ejup Ganiq: Unë nuk dua që të flas për këtë, por kishte blerje edhe nga armiku. Në anën e armikut kishte edhe nga ata që nuk ishin të sigurt, se ishte e mirë ajo që bënin. Kështu, ndonjë oficer, i cili në tre muaj do të vinte nga Beogradi për të vëzhguar bombardimin e Sarajevës, dinte të kthehej në shtëpi me disa mijë marka gjermane. Në luftë gjithçka ndodh.
***
TAKIMET TUGJMAN-MILOSHEVIQ
• Cila ishte atmosfera e takimit të Milosheviqit dhe Tugjmanit?
Hërvoje Shariniq: Atmosfera ishte shumë e ngrohtë. Kur Tugjmani u sëmurë, Milosheviqi më tha: “Përshëndeteni Franjon dhe thuaj se dëgjoj se gjërat shkojnë nga e mira”. Ne bisedonim me Milosheviqin, sepse ai atëherë kishte fuqi dhe me të mund të zgjidheshin problemet. Edhe Milosheviqi e dinte që Tugjmani kishte fuqi në Kroaci. Ky ishte një pakt për të ardhur deri te një zgjidhje (edhe pse ishim të vetëdijshëm se asgjë nuk ishte e sigurt nga Milosheviqi).
• Ju arritët të bëni fotografitë – që tronditën opinionin – nga takimi në Karagjorgjevë. Si u bënë ato?
Hrvoja Shariniq: Mua nuk më tronditën, sepse unë shkoja pas Tugjmanit. Për pak do të vdisja, sepse këto regjistrime i bëra nga kati i dytë dhe shkaku i një zhurme të vogël të fotoaparatit, truprojat i prekën pistoletat. Milosheviqi qeshte, kurse unë i thashë: “Kryetar, lehtë e keni ju që qeshni, kur këta tuajt për pak sa nuk më sharruan”.
• Çfarë thoshte për myslimanët?
Hërvoje Shariniq: Milosheviqi thoshte se do të merremi vesh, dhe këtë e mendonte për serbët dhe kroatët, për të krishterët. “Për mua është problem myslimanizmi”, thoshte.
• Kishte obsesione për myslimanizmin? Dihet teza e tij për transversalen e gjelbër, që kalon nga Azia nëpër Bosnjë?
Hrvoja Shariniq: Po. Në një rast më tha: “Myslimanët janë një e keqe e madhe. Eksplodimi i tyre demografik do të bëjë që ne për 50 vjet do të mbytemi në detin mysliman”. Ky ishte obsesioni i tij, por edhe i Karaxhiqit, Mladiqit dhe Krajishnikut – me të cilët gjithashtu kam pasur takime. Unë kam pasur bisedime edhe me Haris Silajxhiqin. Për këto takime Milosheviqi thoshte: “Ç’keni që takoheni me të. Të gjithë e dinë se ai është homoseksual”.
• Dhe, në fund, amerikanët ju detyruan që të bëni pakt me myslimanët?
Hrvoja Shariniq: Unë tash do të them diçka që nuk është shumë e pëlqyeshme, por për ne – për shumë çështje – serbët ishin më të afërt sesa myslimanët. Por, nga gjithë ajo që ndodhi, ne nuk mund të shkonim drejt një zgjidhjeje me serbët.
***
OWEN, MIKU I MILOSHEVIQËVE
• Cili ishte bashkëpunimi i negociatorëve ndërkombëtarë me Milosheviqin?
Sir David Owen: Kam bashkëpunuar me Milosheviqin në fillim. Në atë kohë ndikimi i tij ishte konstruktiv. Këtë e thashë edhe gjatë gjykimit të tij në Hagë. Sipas meje, forca e tij destruktive ishte në dy vitet e para – pas shpërbërjes më 1990-1991 dhe 1992 dhe pastaj sërish në Kosovë, kur nuk donte t’u jepte shqiptarëve një shkallë të një autonomie të zgjeruar. Për këtë autonomi ne e lusnim. Me këtë do të shmangeshin të gjitha problemet, ndërsa ai me siguri ende do të ishte kryetar i Jugosllavisë.
Hërvoje Shariniq: Mua më thanë se Owen e kishte shkruar hyrjen për librin e Mira Markoviqit. Por, Milosheviqi reagoi: “Jo, sërish u paskan informuar gabimisht. Owen është mik i familjes sonë dhe ai ia ka dhënë disa sugjestione Mirës. Më duhet t’ju them se vetëm në Rusi Mira e kishte shitur librin për 320 mijë marka”. “Kryetar, keni bërë mirë që jeni martuar”, i thash, kurse ai ma ktheu: “Po, nuk mund të ankohem”.
Lordi Peter Carrington: Lordi Peter Carrington: Franca gjithmonë e përkrahte Serbinë, pjesërisht për shkakun se gjermanët e përkrahnin Kroacinë. Britanikët nuk e kanë përkrahur askënd. Ata tentonin që të kontrollonin edhe kroatët edhe serbët. Amerikanët morën anë, sepse historikisht amerikanët përkrahin më të vegjlit. Ata vepronin në anën e boshnjakëve. Ata ishin kundër serbëve, ndaj tentonin që të përkrahnin Izetbegoviqin kundër tyre. Unë për vete asnjëherë nuk i kam besuar kryetarit Tugjman, sepse thoshte diçka tjetër dhe bënte diçka krejt tjetër. Më shumë i kam besuar Milosheviqit, sepse ai do ta bënte atë që e premtonte, dhe nuk e bënte atë që thoshte se nuk do ta bëjë. Por, ai ishte i vështirë. Besimi është fjalë e rëndë. Milosheviqi ishte jokooperativ dhe nuk ndihmonte shumë. Nuk i kam besuar as Alija Izetbegoviqit. Por, i besoja Kiro Gligorovit.
/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Ditari që përmbys gjithçka mbi Luftën e Shkodrës: Esat Pasha ishte mbrojtësi i vërtetë i Shkodrës!?
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
GJUHA SHQYPE
AJO KISHTE
Kosova, në panairin e librit në Frankfurt
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit