Për shqiptarin që shkroi një nga faqet ma të lavdishme të historisë së fotografisë amerikane dhe asaj botërore.
Revista amerikane “Popular Photography”, që dikur konsiderohej si më e madhja e llojit të vet në Amerikë dhe jashtë saj, numrin e parë e publikoi më 1937. Gjatë historisë 80-vjeçare, veç informacioneve për artin dhe zhvillimin teknologjik të fotografisë, revista ishte edhe prijëtare në prezantimin e fotografëve më të mirë të kohës – si në Amerikë, ashtu edhe në botë.
Në vitin 1958, në publikimin e muajit maj, redaksia e kësaj reviste kishte botuar rezultatin e një ankete për fotografët kryesorë aktivë të kohës, duke e nxjerr listën e 10 më të mëdhenjve. Për të dëshmuar se nuk anojnë për asnjë emër, redaksia listën e publikon sipas këtij rendi alfabetik: 1. Ansel Adams; 2. Richard Avedon; 3. Henri Cartier-Bresson; 4. Alfred Eisenstaedt; 5. Ernst Haas; 6. Philippe Halsman; 7. Yousuf Karsh; 8. Gjon Mili; 9. Irving Penn dhe 10. W. Eugene Smith.
Siç shihet, në listë është edhe emri i gjeniut shqiptar të fotografisë, Gjon Mili, i cili në pjesën e dytë të shekullit XX ka shkruar një nga faqet ma të lavdishme të historisë së fotografisë amerikane dhe asaj botërore.
Vlerësimi – apo përzgjedhja e këtyre emrave – është rezultat i sondazhit në të cilin janë përfshirë kritikët, mësimdhënësit, redaktorët, drejtorët artistikë, konsulentët dhe fotografët e angazhuar brenda dhe jashtë vendit. Nga 465 autoritete të kontaktuara, 243 prej tyre i janë përgjigjur sondazhit.
Sondazhi për dhjetë më të mëdhenjtë e fotografisë botërore, zgjoi sa reagime pozitive aq edhe dyshuese nëpër gazetat që botoheshin asokohe në Amerikë. Nga to vlen të veçohet reagimi i gazetarit Jacob Deschin, i cili në artikullin e botuar në të përditshmen “The New York Times”, më 6 prill 1958, ngre disa pikëpyetje lidhur më sondazhin e realizuar nga revista.
“Lista duket sikur u krijua rastësisht, pa ndonjë seriozitet, duke u mbështetur vetëm në reputacionin e fotografit. Për më tepër, në përzgjedhje duket se kanë ndikuar kryesisht pjesëmarrësit amerikanë, duke i dhënë listës frymë nacionale – e jo botërore, siç pretendohej”, ka thënë ndër të tjera Deschin.
Pavarësisht reagimeve që vënin në pikëpyetje listën e “dhjetë më të mëdhenjve” të fotografisë botërore, për lexuesin shqiptar – por edhe për historinë e fotografisë shqiptare – publikimi i sondazhit nga revista e sipërpërmendur, na sqaron një moment të panjohur për jetën dhe karrierën e fotografit shqiptaro-amerikan, Gjon Mili.
Mili u lind më 28 nëntor 1904, në Korçë, nga prindërit Vasil Mili dhe Viktori Çekani. Me ndihmën e dajës së tij, Koço Çekani, si 18-vjeçar emigron në Amerikë. Daja e ndihmon financiarisht, derisa nuk i mbaron studimet në Institutin e Teknologjisë të Massachusetts-it. Në këtë universitet prestigjioz ishte ndër studentët më të dalluar, për çka rekomandohet të fillonte punën si inxhinier në kompaninë e famshme të prodhimeve të mjeteve ndriçuese, Westinghous Lamp Company. Për dhjetë vjet sa punoi në këtë kompani, do të vlerësohet si një nga punëtorët më të zotët dhe më inventivë.
Në vitin 1937 Mili do të njihet me profesorin Harold E. Edgerton – njeriun i cili zbuloi flashin elektronik dhe atë stroboskopik. Mes tyre nis një miqësi dhe bashkëpunim i gjatë, që do të shtyjë Milin të kombinojë elektronikën më fotografinë. Në vitin 1938, fal kësaj miqësie – dhe pas sugjerimit të Edgertonit për ta krijuar një portfolio me fotografi stroboskopike – fotografi shqiptar fillon punën në revistën e famshme LIFE.
Fal punës kreative dhe novative, Mili shpejtë do të bëhet fotografi më i dalluar jo vetëm në LIFE, por edhe në komunitetin artistik amerikan dhe evropian. Kështu, në vitin 1949, gjatë realizimit të një reportazhi për artistët më të mëdhenj pamorë të shekullit XX, Gjon Mili takon Pablo Picasson në shtëpinë e tij në rivierën franceze. Aty ai realizon një varg fotografish me teknikën e tij origjinale, ku më e famshmja mbetet ajo që do të quhet: “Picasso duke vizatuar Kentaurin me dritë”. Një vit më vonë, në janar të vitit 1950, koleksioni i fotografive me Picasson ekspozohet në Muzeun e famshëm të New Yorkut, MoMA, ku do të përcillet me kërshëri të jashtëzakonshme si nga kritika ashtu edhe nga publiku amerikan.
Në vitin 1966, Gjon Mili përjeton një tragjedi: shkaku i instalimit të vjetër të rrymës elektrike, studion e tij në Rrugën 23 të New Yorkut e kaplojnë flakët e pakontrolluara, të cilat ia shkatërrojnë dy të tretat e materialeve të vlefshme (fotografi, negativë, dokumente e letërkëmbime të rëndësishme). Gjatë përpjekjes për ta shuar zjarrin e madh në studion e tij, vdesin 12 zjarrfikës.
Gjatë karrierës mbi 45-vjeçare artistike, Mili realizoi edhe disa filma të shkurtër artistikë, nga të cilët duhet të veçohet ai kushtuar xhaz muzikantëve të mëdhenj të kohës, “Jammin’ the Blues”. Shkaku i vlerave artistike dhe risive regjisoriale, ky film u nominua për çmimin Oscar në edicionin e vitit 1944.
Për veprën fotografike të Gjon Milit janë botuar tre libra. Në vitin 1960 botohet libri “The Magic of Opera” – libër ky i panjohur deri tani për opinionin shqiptar, që i kushtohet historikut të Operës Metropolitane. Tri të katërtat e këtij libri janë të ilustruara me 68 fotografi të Milit, nga të cilat duhet të veçohet ajo e divës së operës botërore, Maria Callas. Tekstin e librit e ka shkruar kritikja e teatrit dhe muzikës, Mary Ellis Peltz.
Në vitin 1970 botohet libri “Picasso’s third dimension”, i redaktuar nga vet Gjon Mili, ku përfshihen fotografitë e realizuara nga dy vizitat – më 1949 dhe më 1967 – që ia ka bërë piktorit më të madh të shekullit XX. Libri përfshinë serinë e fotografive të “vizatimit me dritë”, disa portrete – në mesin e të cilëve është ajo emblematikja, e Picassos me lulen e kuqe në vesh – si dhe fotografitë e dhjetëra veprave artistike që piktori i kishte në atelienë e tij. Teksti shpjegues i Milit karakterizohet nga një stil i rrjedhshëm dhe lehtë i kuptueshëm.
Në vitin 1980 botohet vepra “Gjon Mili – Photographs & Recollections”, që mund të konsiderohet si libër monografik i gjeniut shqiptar, i botuar tërësisht nën mbikëqyrjen e tij. Në tekstin e shkruar nga vet Mili, shpjegohet rrugëtimi i tij krijues – qysh nga fotografia e tij e parë artistikë e realizuar në vitin 1931 (portreti i çelistes Margaret Aue), si dhe porosia e parë e bërë nga revista LIFE në vitin 1938 (ku portretizohet kampioni i tenisit në SHBA, Bobby Riggs).
Qysh në fillim të tekstit të kësaj monografie, Mili përmend shoqërimin e tij me Faik Konicën, për të cilin thotë se “ishte një shok i moshuar shqiptar; një shkrimtar i shkëlqyer; një humanist dhe një intelektual i mprehtë”.
“Konica ka marrë mundin për të zgjeruar interesimin tim për artet, sidomos për filmat, të cilët i pëlqente dhe i konsideronte si një formë artistike më rëndësi…”, ka shkruar ai.
Më tej Mili shprehet se kjo monografi nuk do të realizohej pa ndihmën e miqve në LIFE të cilët ia ofruan tërë arkivin fotografikë me autorësinë e tij, pasi shumica e fotografive në pronësinë e tij ishin shkatërruar në zjarrin e vitit 1966.
Libri përmban një numër të madh të kryeveprave të tij, duke filluar nga portreti i Picassos, nudoja që zbret shkallëve (vepër e frymëzuar nga një pikturë e artistit konceptual, Marcel Duchamp), balerinave të fotografuara me stroboskopi (të cilat e impresionuan Picasson në takimin e parë), portreti i çelistit Pablo Casals, dramaturgut Sean O’Casey, regjisorit Alfred Hitchcock, pianistit Artur Rubinstein, piktorit Henri Matisse, këngëtarit Frank Sinatra, shansonieres Edith Piaf dhe shumë emrave të tjerë të mëdhenj të artit dhe të kulturës botërore…
Libri përfundon më një portret që Gjon Milit ia kishte realizuar fotografi i madh francez, babai i asaj që njihet si “Fotografi e rrugës” dhe si autori i librit eseistik “Çasti vendimtar” – i cili udhëzon për një qasje ndryshe në fotografinë bashkëkohore – Henri Cartier-Bresson (të cilin Mili me shaka e thërriste “amator”)
Pas një sëmundje nga pneumonia, Gjon Mili vdiq më 14 shkurt të vitit 1984, në Stamford-Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/