Valon Aliu dënohet me 24 vjet burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Valon Aliu për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë”, mbajtje e paautorizuar e armëve" dhe "kanosje".
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva - Daci – kryetare e trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin Valon Aliu e shpalli fajtor për “vrasje të rëndë” me dënim burgimi 22 vjet, për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” një vit si dhe për veprën penale “kanosje” i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy viteve.
“Të pandehurit për tri vepra penale i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëzet e katër vjet në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 12 prill 2024, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt bëhet e ditur se më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C., me të cilën ka bashkëjetuar, ashtu që fillimisht ditën kritike, rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për t`ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthej në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas 40 minutave kthehet pa fëmijë në QPS, ku fillimisht bisedon me zyrtaren Q.Z., pastaj del jashtë ku në një lokal pret dhe rreth orës 14:40 minuta vërejnë të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C.
“... para tyre hynë në zyrën e QPS-së dhe posa aty mbërrin e ndjera së bashku me vëllain e saj, pas një fjalosje të shkurtër, nxjerrë nga brezi armën e tipit ‘ZORAKI M 2906-T’ të ndjerën E. Fillimisht me një të shtënë e godet në kraharorë, pastaj me dashje ta privon nga jeta shtënë edhe në të dëmtuarin D.C., të cilin e godet në krahun e djathtë pasi i dëmtuari duke mbledhur krahët instinktivisht është tkurr, pastaj derisa e ndjera E. Fillon të largohet në drejtim të dritareve e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund e godet në anën e majtë të kokës 3cm mbi laprën e veshit, për pasojë e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.
Në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi Pistoletën e tipit “ZORAKI M 2906-T” , cal. 9mm PAK me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024, iu është konfiskuar nga policia.
Tutje, ai më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së qendrës për punë sociale në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht me përdorimin e armës e kanos të dëmtuarën Q.Z., duke ia vendos armën në ballë dhe i drejtohet me fjalët “shuaj se të gjuj edhe ty”.
“Konform nenin 366 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.
Konform nenit 366 paragrafi 3 të KPRK-së, konfiskohet në mënyrë të përhershme arma siç përshkruhet në aktakuzë.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt. /Telegrafi/


















































